E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimit parlamentar, kryebashkiaku Edi Rama në vështirësim, thërret në ndihmë Fehmi Abdiun

Kryebashkiaku paralajmëron ankimimin në Kushtetuese të këtij komisioni

TIRANE - Nën panik të plotë nga ngritja e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me dhënien vitet e fundit të dhjetëra lejeve të ndërtimit, kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama është kapur sërish pas Gjykatës Kushtetuese. Duke tundur vendimin e dyshimtë të Fehmi Abdiut në maj të vitit 2003, Rama kërkon me ngulm që sërish Abdiu në cilësinë tashmë të anëtarit të këtij institucioni dhe anëtarët e tjerë pranë së majtës të japin kontributin e tyre në pengimin e këtij hetimi.
Drejtoresha Juridike e bashkisë së Tiranës Migena Vishko reagoi dje ndaj ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar në ngarkim të kryetarit të bashkisë Edi Rama duke e quajtur antikushtetuese.
“Pasi kemi shqyrtuar me kujdes kuadrin ligjor në fuqi, në Republikën e Shqipërisë, mbi të cilën ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare, rezulton se komisioni i ngritur me datë 23 prill , është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues. Ky komision hetimor është miratuar në kundërshtim flagrant me ligjin dhe detyrimisht nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore”, deklaroi Vishko.
Në këtë kuadër “ajo i ka propozuar” kryetarit të bashkisë, Edi Rama t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta shpallur antikushtetues këtë komision hetimor dhe shfuqizuar këtë vendim, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe njëkohësisht për të
marrë masën e pezullimit të zbatimit të tij, deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
Vetëm disa ditë më parë parlamenti ngriti me votat e mazhorancës komisionin e cili
do të investigojë për 3 javë mbi dokumentacionin e bashkisë për dhënien e lejeve të ndërtimin në kryeqytet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›