E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama ka nxitur informalitetin në Tiranë, duke penalizuar 16 mijë familje, që s’mund të hipotekonin apartamentet

Zëdhënësi i grupit parlamentar në PD-së Aldo Bumçi denoncon politikat e kryebashkiakut të Tiranës

TIRANE - Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi dje se kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, me modelin e tij qeverisës ka krijuar dhe nxitur informalitetin në Tiranë.
“Këtu nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje, informale në periferi të qytetit, por për objekte të reja në mes të Tiranës, tha Bumçi duke shtuar se, sot ka rreth 420 objekte të tilla, që kanë lejen e ndërtimit nga ana e bashkisë, por asnjë nga familjet, të cilat kanë blerë apartamente në këto pallate, nuk ka hipotekuar pronën e saj”.
Dhe, sipas tij, bëhet fjalë për mbi 16 mijë familje.
“Kjo gjendje tërësisht e papranueshme, që dëmton interesat e drejta të mijëra familjeve në kryeqytet, që nuk arrijnë të hipotekojnë apartamentin e tyre edhe pse e kanë blerë shumë shtrenjtë, ka ardhur pasi bashkia nuk pajis me leje shfrytëzimi pallatet, në të cilat ndërtuesit kishin shkelur lejen e marrë, duke ndërtuar p.sh, një kat më shumë. Në mungesë të lejes së shfrytëzimit asnjë apartament nuk mund të hipotekohej”, u shpreh zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së.
Ai vuri në dukje se ajo që duhej të ishte një politikë ndëshkuese për firmën ndërtuese që të korrigjonte gabimin, u kthye në një masë ndëshkuese për qytetarët e thjeshtë.
“Kjo, sepse e njëjta firmë ndërtuese, edhe pse nuk bëri asgjë të korrigjonte projektin e parë, mori lejen e dytë, të tretë dhe kështu me radhë nga bashkia. Në këtë mënyrë ndërtuesit nuk ndëshkoheshin, sepse vazhdonin të merrnin leje, bashkia ishte e kënaqur bashkë me ndërtuesit, ndërsa kush penalizohej ishin mijëra familje në kryeqytet, të cilat nuk mund ta përdornin pronën e tyre as për të marrë kredi dhe as për ta shitur më tej.   Duket qartë se për kryetarin e bashkisë kishin rëndësi ndërtuesit dhe jo qytetarët e thjeshtë”, nënvizoi Bumçi.
Sipas tij, Rama jo vetëm nxiti informalitetin, por edhe u bë pengesë serioze për zgjidhjen e këtij problemi pas miratimit të ligjit për legalizimet.
“Për afro 3 vjet i bllokoi ato, duke shtyrë vit pas viti hipotekimin e tyre. Agjencia e Legalizimeve arriti të bënte azhornimin dhe dixhitalizimin e këtyre objekteve në territorin e Tiranës dhe të hartojë të gjithë paketën fiskale, penalitetet që duhet të paguhen nga ndërtuesit dhe sot 160 pallate janë pajisur me lejen e legalizimit dhe janë pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme për t’u hipotekuar”, shtoi ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›