Hetohet pasuria e Lulzim Bashës

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), nisur nga të dhënat e publikuara gjatë ditëve të fundit në gazetën “Shekulli”, lidhur me aktet për shit-blerjes së një apartamenti në Holandë, nga ish-Ministri i Brendshëm i Shqipërisë dhe ish-deputeti, Lulzim Basha, ka publikuar raportin e kontrollit për këtë dyshim të hedhur.
ILDKP sqaron se nga shqyrtimi i materialeve që janë administruar prej saj për vetë-deklarimet e Bashës, rezulton se në deklaratën “Para fillimit të detyrës”, të dorëzuar në ILDKP më 4.10.2005, Basha ka deklaruar, ndër të tjera, “apartament në Utrecht, Holandë, në vlerën 510.000 gulden holandez.
Më datë 25.10.2005, Inspektorati i Lartë ka nisur procedurën e kontrollit të plotë për zyrtarin Lulzim Basha.
Për të realizuar një hetim sa më të detajuar mbi interesat private të Bashës, një grup kontrolli kreu verifikime në Utrecht të Hollandës, ku është marrë informacion në Zyrën Kadastrale të këtij qyteti, si edhe pranë bankave “PostBank Amsterdam” dhe “ABN-ARMO” Utrecht, Holandë.
“Pra, në raportin e kontrollit të plotë mbi deklarimin “para fillimit të detyrës”, të përfunduar më 04.12.2006, rezulton se vlera e blerjes së apartamentit është e saktë me vlerën e deklaruar nga subjekti, gjithsej 510.000 GNL”, përfundon deklarata e ILDKP.