Shtëpia e Bardhë kritikon Wikileaksin
Informatat rreth njerëzve të mbajtur në burgun e Guantanamos përfshihen në raportimet e vlerësimit të burgosurve, raporte të përpiluara nga Departamenti i Mbrojtjes, ndërmjet viteve 2002 dhe 2009.
Dokumentet, fillimisht u futën në dorë nga Wikileaks. Njoftimet mbi përmbajtjen e tyre u publikuan nga disa mjete shtypi, përfshi gazetat The New York Times, The Washington Post, The Daily Telegraph si dhe Radio Publike Kombëtare.
Sipas gazetës The New York Times, raportet ushtarake tregojnë se një e treta e të liruarve nga burgu i Guantanamos ishin klasifikuar për “rrezikshmëri të madhe” para se tu dorëzoheshin qeverive të tjera.
Shtëpia e Bardhë thotë se raportet ishin mes burimeve të tjera të informacionit të përdorura nga një grup pune, i krijuar nga presidenti Barack Obama në vitin 2009.
Paneli në fjalë shqyrtoi se cilët të ndaluar në Guantanamo mund të dënoheshin apo të mbaheshin përfundimisht dhe rekomandoi se kush mund të transferohej në vendet përkatëse apo vende të treta.
Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, përsëriti atë që ka thënë administrata e presidentit Obama rreth daljes së dokumenteve të tjera nga WikiLeaks, duke thënë se është i pavend publikimi nga organizatat e medieve i dokumenteve që janë shtënë në dorë në rrugë të paligjshme.