E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetohet prokurori, mori 2 mijë euro për ulje dënimi

Autori i Lajmit: red.
Nis procedimi penal për prokurorin e Kavajës, dyshohet se ka marrë 2 mijë euro ryshfet për një ulje dënimi. Kështu Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj një prokurori dhe një avokati të rrethit të Kavajës, të cilët akuzohen përkatësisht për korrupsion pasiv i funksionarëve të organeve të drejtësisë dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike . Burime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bënë të ditur se dosja në ngarkim të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Kavajës, Musa Mulkurtit, dhe avokatit Pjetër Ndreca, është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërkohë hetimet për dy të pandehurit e mësipërm nisën në shkurt nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, pas regjistrimeve filmike të shfaqura në një emisionin televiziv, lidhur me një aferë korruptive. Sipas burimeve zyrtare, regjistrimet përmbanin një bisede ndërmjet shtetasit Zagoll Muçi dhe prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Musa Mulkurti. Ky i fundit akuzohet të ketë marrë një shumë prej 2.000 eurosh në këmbim të uljes së masës së dënimit të kërkuar për djalin e shtetasit Zagoll Muçi. Gjithashtu, në këtë aferë akuzohet të jetë përfshirë dhe avokati Pjetër Ndreca, i cili luante rolin e ndërmjetësit. Nga të njëjtat burime mësohet se prokurori Musa Mulkurti është hetuar nën masën e sigurimit personal “detyrim paraqitjeje pranë shërbimeve të Policisë Gjyqësore", marrë ndaj tij nga Gjykata e rrethit Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›