E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullohet nga detyra shefi i Rrugores

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Pezullohet nga detyra shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, Krenar Ahmeti. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së bërë një ditë më parë nga ana e Prokurorisë së rrethit. Mbi Ahmetin rëndon akuza e kryerjes së veprimeve arbitrare. Sipas Prokurorisë, ndaj Krenar Ahmetit kanë mbërritur dy kallëzime penale nga shtetas të ndryshëm, të cilët janë marrë forcërisht prej tij dhe janë dërguar në komisariat. Rasti i parë ka ndodhur në datën 17 maj, kur Ahmeti ka shoqëruar në komisariat një prokurore dhe bashkëshortin e saj.
Hetimet
Një efektiv policie ka ndaluar makinën ku ndodhej prokurorja dhe familja e saj pa asnjë arsye dhe u ka marrë atyre dokumentet. Kur ata i kanë kërkuar sërish dokumentet, pasi duhet të shpinin nw spital një të moshuar të sëmurë, e cila ndodhej në sediljen e pasme, aty ka mbërritur Ahmeti. Polici i ka dhënë sërish dokumentet bashkëshortit të prokurores, ndërsa kjo e fundit ka takuar kreun e qarkullimit. Në këtë moment ka nisur edhe konflikti, pasi, sipas dëshmisë së prokurores, Krenar Ahmeti e ka ofenduar. Më pas debati ka vazhduar edhe me bashkëshortin e saj duke përfunduar me marrjen e çelësave të makinës dhe mbylljen e saj nga Ahmeti. “Më pas ai ka thirrur policinë e rendit dhe ka dërguar me forcë të dy këta shtetas në komisariat. Nga hetimi rezulton se Krenar Ahmeti ka kërcënuar, fyer, ofenduar dhe shoqëruar në polici në mënyrë të padrejtë dy qytetarët”,- thuhet në materialet e prokurorisë.
Precedenti
Rasti i dytë ka ndodhur në datën 25 maj, kur një shtetas me inicialet H.N, i cili kishte njohje me të, pasi policia i kishte marrë pa procesverbal dokumentet e makinës. H.N i ka thënë Ahmetit se do ta denonconte këtë rast në prokurori, pasi është shkelje e ligjit, por kreu i qarkullimit i është përgjigjur se nuk pyet për prokurorinë e pak ditë më parë kishte dërguar në komisariat një prokurore. “Në debat e sipër, Ahmetaj i ka thënë një polici që të sjellë një patrullë duke e dërguar shtetasin H.N në komisariatin numër 2, ku ka qëndruar për më shumë se 12 orë. Si pasojë e urdhrit të Ahmetit, këtij shtetasi i është hequr liria në mënyrë të padrejtë”,- thuhet në materialet e prokurorisë.

Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›