Hetuesit, nën varësinë e Kryeprokurores

Mbërrin në Komisionin Parlamentar të çështjeve Ligjore projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”. Projektligji për policinë gjyqësore ka ndryshuar 80% të formës së tij të mëparshme dhe ka përcaktime krejt të reja në të gjitha nenet lidhur me kriteret e pranimit, pagat, shpërblimet dhe kompetencat. Në këtë rast, prokurori ka precedencë, por ka nene të veçanta që i japin kompetenca edhe Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ky projektligj është në kuadër të reformës për drejtësi. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme janë protagonistët kryesorë të këtij ligji. Në pjesën më të madhe të projektligjit vihet re se ka një ndarje kompetencash mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë.
KompetencatNë shtesat që i janë bërë këtij drafti në kuadër të reformës në drejtësi, specifikisht në nenin 10, është shtuar pika ku “Caktimi në seksionet e policisë gjyqësore bëhet bazuar në një procedurë konkurrimi nga ministri që ka në kompetencë forcën policore ku bën pjesë kandidati, ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rastin e juristëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme të ekspertizës”. Ndërsa për rregullat më të hollësishme, do të kenë të drejtë që nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët të vendosin Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Brendshëm dhe ministrat përgjegjës që kanë në kompetencë forcat policore. Një tjetër pikë të nxehtë që përmban ky projektligj është synimi i shkrirjes së sektorëve të hetimit në Prokuroritë e Shkallës së Parë në Tiranë dhe në rrethe. Duke iu referuar nenit 8, ky draft synon të rregullojë seksionet e policisë gjyqësore pranë prokurorive. Prokurori i Përgjithshëm, në bashkërendim me ministrin e Brendshëm dhe Ministrinë e Drejtësisë, në çdo dy vjet, përcaktojnë organikën për çdo seksion të policisë gjyqësore. Në prokuroritë e rretheve gjyqësore janë 115 oficerë të policisë gjyqësore, tek Krimet e Rënda janë 13 oficerë të policisë gjyqësore, në prokuroritë e Apeleve janë 5 oficerë dhe në sektorin e përgjimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme janë 20 oficerë të policisë gjyqësore. Në total janë 153 oficerë të policisë gjyqësore. Neni 4 ripërcakton ndarjen e ushtrimit të funksioneve të Policisë Gjyqësore në oficerë dhe agjentë. Cilësia si oficer dhe agjent u njihet edhe punonjësve të shërbimeve të tjera policore.
Pagat59.500 lekë është paga bazë e oficerit të policisë gjyqësore, që është sa 70% e pagës së prokurorit të rrethit, i cili merr një rrogë mujore prej 85.000 lekësh. Kësaj i shtohet edhe pagesa e vjetërsisë prej 4760 lekësh, por edhe shtesa për vjetërsi pune. Në total pagesa e një oficeri të policisë gjyqësore është 67.800 lekë.
#