Rritja e pensioneve, më pak se inflacioni
Partia Socialiste insiston në qëndrimin e saj rreth nivelit të ri të pensioneve, të rritura nga qeveria në vendimin e fundit. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, paraqiti dje shifrat me përllogaritjet e fundit, ku del se rritja e pensioneve nuk ka qenë më e lartë se niveli i inflacionit. “Sipas këtij vendimi, ka një inflacion specifik për pensionistët, i cili, sipas të gjitha llogaritjeve, bazuar në shifrat zyrtare është më shumë se 5 për qind. Pra rritja e pensioneve të qytetit është më pak se inflacioni, prandaj ne përsërisim se sot pensionistët shqiptarë blejnë më pak se sa blinin një vit më parë”, tha Beqja. Sipas tij, qeveria nuk ka para për t’i rritur pensionet, pasi në 5 muajt e parë, mungojnë 12 miliardë lekë nga tatimet dhe doganat. “Rritja me 4 për qind e pensioneve të qytetit është rritja më e ulët në 10 vjet. 600 lekë më shumë iu dha pensionistëve në qytet Sali Berisha. Po kaq kanë marrë që në 2003-shin. Edhe në fshat rritja prej 10 për qind, është rritja e pensioneve më e ulët në 10 vitet e fundit”, nënvizoi ish-drejtori i ISSH-së, Ilir Beqja.
#