E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hi syve

 

Edmond Arizaj

Diskutimet mes partive të opozitës, që për pak kohë ndezën sërish shpresat e elektoratit të majtë, por dhe më gjerë, për një ribashkim të mundshëm, duket se nuk ishin gjë tjetër veçse një karrem i hedhur nga Partia Socialiste. Deri vitin e ardhshëm do të rrjedhë goxha kohë, dhe mes të majtëve, sërish mund të ketë tentativa të tjera paqtimi, por le të mbetemi pak te bisedimet e fundit të zhvilluara mes PS dhe LSI, pas ftesave të përsëritura të kësaj të fundit.  Gabimi i parë i socialistëve ishte se vazhdon ta shohë LSI-në si parti të dorës së dytë. Edhe pranimi me vonesë për t’u ulur në një tryezë, edhe propozimet “abstrakte” të bëra, nuk tregojnë shenja serioziteti nga lidershipi i PS-së. Për më tepër, kur PS-ja kërkon që LSI-ja të sillet si parti me 0.2 për qind elektorat në vend, teksa i parashtron kushte dhe jo propozime për t’u diskutuar. Duke harruar sërish se LSI-ja në 2005 pavarësisht “pikës së ujit” dhe gjithë mllefit të mbledhur ndaj saj, dhe gjithë luftës që iu bë në qendra e komisione, arriti të marrë goxha deputetë. Po ashtu PS-ja harron edhe zgjedhjet elektorale të një viti më parë, kur e majta e bashkuar mori shumicën e bashkive të mëdha të vendit. Vetëm me këto dy kujtesa dhe me Berishën nga ana tjetër, më e pakta që duhet të bënte dhe bëjë PS-ja është të paraqitet në bisedime si e barabartë dhe jo si ofruese mëshirëplotë.
 Ndoshta është kjo e fundit që bëri të shpërthejë edhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta, duke i quajtur koalicionet e përbëra si koalicione bishtash që dështojnë. Dhe shfryrja e Metës mund të jetë e përligjur, përsa kohë partia që ai drejton nuk synon të nxjerrë vetëm atë deputet, apo dhe një tjetër pas tij. Sipas deklarimeve të tij në media, LSI-ja pretendon një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish në legjislacionin e ardhshëm. Edhe nëse do të merren me rezerva deklarimet e zyrtarëve të LSI-së, sërish PS-së nuk i shkon në këtë situatë roli i partisë që e ka gjithçka në vijë dhe mund të diktojë mbi gjithçka.
Gabimi tjetër i lidershipit të Partisë Socialiste në bisedime, ishte se ata as që e prekën fare çështjen e Kushtetutës. Ndryshimet brenda një nate në dokumentin themeltar të shtetit, mbi të gjitha në bashkëpunim me PD-në e Berishës, ka lënë një shije jo të mirë tek elektorati shqiptar, sidomos tek ai i majtë. Të nervozuar me ndryshimet e herëpashershme në “Kushtetutën” e PS, përsa kohë kjo ishte në pushtet, statutin, ndryshimi i Kushtetutës mund të ketë sjellë rritjen e mosbesimit tek sinqeriteti i lidershipit të PS-së përballë këtij elektorati. Sigurisht që çka u bë në Kushtetutë, tashmë PD-PS as kanë ndërmend ta kthejnë më, por të paktën PS-ja u detyrohej një “sqarim” bashkënegociuesve. Ndërsa më serioze do të ishte që të dyja palët të diskutonin mbi kodin zgjedhor, ku numri i parë rendor, do t’i takonte korrektimit kombëtar të votave. Ky diskutim, qoftë edhe në parim, do të ishte një shenjë e qartë se lidershipi i Partisë Socialiste do ta marrë seriozisht vitin elektoral, me qëllimin e vetëm që e majta të fitojë zgjedhjet. Korrektimi kombëtar, në fakt do të ishte një e drejtë e votës për partitë e tjera, e cila u hoq me dhunën e kartonëve të PD-PS teksa u miratua sistemi zgjedhor proporcional rajonal. Me këtë rast, edhe PS-ja do ta kishte shumë më të lehtë bashkëpunimin me LSI-në, qoftë para apo pas zgjedhor.
Gabimi tjetër i lidershipit socialist, është vetë oferta për koalicionet e përbëra, që nuk janë gjë tjetër, veçse një formë e “emancipuar” Dushku, por këtë radhë vetëm për emra të veçantë. Dhe në këtë Dushk proporcional rajonal, PS-ja kërkoi të joshte edhe LSI-në duke u përpjekur të marrë me puthje atë që s’mundi dot me armë (lexo Kushtetutë). Qesharake në fakt përpjekja e PS-së, e cila kërkon rolin e liderit kur brendia e saj po tronditet nga tallazet parazgjedhore, kur mefshtësia i ka dhënë Berishës dorë për t’u mburrur në Shqipëri me dështimet e tij, dhe kur mbi të gjitha, njeriut të njohur për mosdorëzimin e pushtetit edhe kur vendi i digjet nën këmbë, i ka dhënë armë moderne manipulimi. Pavarësisht zullumeve të qeverisjes së Berishës, idesë së çimentuar tashmë se ai njeri duhet të largohet nga pushteti, tek të majtët nuk ka një besim “të verbër” se vitin e ardhshëm do t’i lajnë duart me këtë kryeministër. Besimi është i lëkundur pikërisht nga piruetet e krerëve socialistë, të cilët në mbledhje-zbritjet e tyre, llogarisin vetëm minueset e Berishës, por harrojnë se nuk kanë asnjë plus për PS-në. As si opozitë e vendosur, që edhe kur bën marrëveshje me qeverinë e bën këtë me shkelma dhe jo me puthje, e as si politikë e re, alternativa e deritanishme e së cilës janë vetëm pallatet e ngjyrosura prej vitesh të Tiranës.
Tryezat e PS-së nuk duhet të jenë hi syve sa për elektoratin, por në radhë të parë një dorë e sinqertë dhe e pastër që duhet shtrënguar. Pastërtia dhe sinqeriteti i së cilës varet nga korrigjimi i 21 marsit të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›