E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekuton rojën në sy të të birit

 

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

Nuk e lë të kalojë, ekzekuton në sy të djalit rojën e ish-SMT-së në Mirditë. Gjin Lleshi s’e ka duruar dot faktin që e penguan të hyjë lirshëm në pronën private, duke qëlluar për vdekje personin e caktuar për të ruajtur objektet. Zemërimi i shfrenuar i 35-vjeçarit ka rrezikuar edhe jetën e fëmijës 10-vjeçar të Gjergj Ndrecës, i cili u largua i tmerruar nga skena që ka parë. Dy plumbat i kanë marrë jetën 44-vjeçarit Ndreca, i afërm i pronarit të ish-SMT-së. Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar në drejtim të paditur së bashku me armën e krimit, duke i shpëtuar kapjes së policisë. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bënë të ditur se, ngjarja ku humbi jetën Gjergj Ndreca ndodhi rreth orës 14:40 të ditës së djeshme. Ndërsa ai po qëndronte në hyrje të objekteve të ish-SMT–së së Mirditës, në dalje të qytetit të Rrëshenit, ka ardhur me një kamion Gjin Lleshi, nga fshati Kthellë i Rrethit Mirditë. Pasi ka ndaluar kamionin para traut të portës, Lleshi i ka kërkuar Ndrecës, që punonte si roje dhe banonte në një nga godinat e ish-SMT-së, të hapte rrugën. Ndreca i është afruar atij duke i komunikuar se kishte marrë urdhër nga pronari i objekteve që të mos lejonte asnjë automjet të hynte në territorin privat të ish-SMT –së. Pasi kanë debatuar për disa minuta Leshi i ka kërkuar rojës në mënyrë të prerë që të ngrinte traun që bllokonte rrugën. Dëshmitarë okularë pohuan se sërish ai hasi në rezistencën e tij. Në këto momente Lleshi ka zbritur nga kamioni me një pistoletë në dorë, duke qëlluar dy herë mbi Ndrecën. Sipas dëshmitarëve, pasi ka qëlluar mbi 44-vjeçarin Lleshi, djali i viktimës është larguar i tmerruar në drejtim të banesës, ku e ëma i ka dalë para sapo ka dëgjuar të shtënat. E lajmëruar nga banorët, policia ka mbërritur në vendngjarje, por pa mundur të ndalojë autorin, i cili ishte larguar më parë në drejtim të zallit të Zmesë. Edhe pse policia ka mundur të rrethojë zonën shumë shpejt, autori i ngjarjes ka mundur të largohej në drejtim të paditur, duke përfituar edhe nga njohja e mirë e terrenit. Burimet bënë të ditur se për ndalimin e tij janë angazhuar edhe FNSH–ja e Shkodrës si dhe policia e Lezhës. Sipas policisë, mes viktimës dhe autorit të krimit ka pasur edhe raste të tjera përplasjesh për të njëjtën gjë, pasi Gjin Lleshi, kishte hyrë edhe herë të tjera në objektet e ish-SMT–së pa lejen e pronarit dhe rojës.  Të njëjtat burime pohuan se Lleshi është vëllai i kryetarit të komunës Selitë, Nikolin Lleshi, njëkohësisht shofer i tij dhe se njihej në zonë si njeri problematik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›