E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, grabitje me armë pas mesnate, merren 500 mijë lekë

 

VLORE – Grabitje me armë në rrugën nacionale Vlorë-Fier. Drejtuesi i një furgoni, i punësuar nga një fabrikë qumështi për shpërndarjen e tij ka denoncuar në polici se rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm i janë grabitur 500 mijë lekë të reja nga persona me armë e maska në kokë. Sipas dëshmisë së bërë prej tij mësohet se po udhëtonte nga Vlora për në fshatrat e zonës së Mifolit, me qëllim grumbullimin e qumështit nga banorët që jetojnë aty. Në vendin e njohur si kthesat e Panajasë ai ka pohuar se i kanë dalë para dy persona të armatosur me armë zjarri automatike. Duke pretenduar se ata i kanë drejtuar armën, madje kanë qëlluar në ajër, e kanë detyruar të paguante paratë që kishte me vete. Ata kanë kontrolluar në kroskotin e makinës, duke i marrë shumën e parave që ai mbante për t’i shfrytëzuar në tregti. Ndonëse e kanë kërcënuar që të mos denonconte ngjarjen, drejtuesi i furgonit ka njoftuar menjëherë pronarin e fabrikës së qumështit që furnizonte e më pas policinë. Sipas burimeve të komisariatit të Vlorës në këtë zonë kanë shkuar forca të policisë, por nuk kanë mundur të identifikojë autorët. Nga ekspertët rezulton se mbi makinë nuk ka pasur asnjë shenjë plumbi, ndërsa një prej xhamave të mjetit ishte i thyer. Hetimet po vazhdojnë, por ende nuk ka të dyshuar konkretë. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›