E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet në erë automjeti, vritet gjyqtari 33-vjeçar

10-09-2011 / Gazeta 55

Atentat i rëndë me eksploziv në qendër të Vlorës

Një  gjyqtar i gjykatës në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit të Vlorës, ka mbetur dje i vrarë, gjatë shpërthimit të autoveturës së tij, të ndodhur dje në këtë qytet, rreth orës 09.20.
Burime të policisë konfirmuan se, 33 vjeçari Skerdilajd Konomi, humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të rënda që pësoi nga shpërthimi i autoveturës së tij, një “Benz” me targa VL 6383 B, teksa ishte në lëvizje në bulevardin Vlorë-Skelë.
Sipas policisë, mësohet se, shkak i shpërthimit ishte vendosja e një sasie eksplozivi që është komanduar në distancë.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje shkuan forca të shumta policore, si edhe zjarrfikëset. Pas mbërritjes së policisë, mësohet se viktima është transportuar me automjetin e policisë drejt spitalit të qytetit, por pa mundur t’i shpëtojë plagëve të rënda të marra nga shpërthimi i tritolit që tronditi gjithë qytetin e Vlorës.
Skerdilajd Konomi punonte si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë prej rreth 6 vjetësh.
Në vitin 2004 ai u diplomua në shkollën e magjistraturës, për të nisur më pas, karrierën në sistemin e drejtësisë, fillimisht në gjykatën e Fierit. Ndërsa në qytetin e tij të lindjes ai u rikthye si magjistrat i çështjeve civile në vitin 2006. Skerdilajd Konomi ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve të mitur, njëri 4 dhe tjetri vetëm pak muajsh.

Hetimet
E vlerësuar si një ngjarje e rëndë, si edhe në përpjekje për të hedhur dritë mbi këtë atentat që ndodhi dje në qendër të qytetit, mbërritur dje në Vlorë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj si dhe eksperti i antiterrorist, Muhamet Rrumbullaku. Ndërkohë, mësohet se dosjen e ka marrë në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në vendngjarje po ashtu kanë shkuar dhe shumë hetues të tjerë të Policisë dhe Prokurorisë.
Pas mbërritjes në vendin  ngjarjes, hetuesit kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes së bashku me ekspertët e policisë. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dhe grumbullimi i provave, pranë autoveturës u gjet një aparat celulari i cili mendohet se i përkiste gjyqtarit Skerdilajd Konomit dhe që do të shërbejë si një provë e rëndësishme në procesin e hetimit.
Si pjesë e hetimeve paraprake, mësohet se kanë filluar të verifikojnë të gjitha dosjet gjyqësore që ka shqyrtuar kohët e fundit dhe që ka pasur ende nën shqyrtim.
Burime nga grupi hetimor, bënë ët ditur, se objekt hetimi është motivi për shkak të detyrës, por edhe për konflikte ët tjera të mundshme.
Nga ana e grupit hetimor, mësohet se dje janë pyetur familjarët e gjyqtarit për problemet e mundshme që mund të ketë pasur i ndjeri. Po ashtu janë thirrur dhe marrë në pyetje edhe dëshmitarët që ishin të pranishëm në momentin e shpërthimit fatal. Në pyetje janë marrë edhe personat me të cilët gjyqtari Skerdilaj Konomi, kishte pirë kafe në Skelë, pak minuta para atentatit.
Ndërkohë, policia e Vlorës deklaroi dje se, do të shpërblejë me 100 mijë euro ata që japin  informacion që ndihmon në zbardhjen e ngjarjes së sotme, ku si pasojë e shpërthimit të një autoveture, mbeti i vrarë gjyqtari Skerdilajd Konomi.
Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Policisë e Qarkut të Vlorës, i bën apel qytetarëve  për të dhënë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje.
“Për personin që do të japë informacionin,  i cili çon në zbardhjen e ngjarjes, Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë vë në dispozicion shpërblimin  prej 100 mijë euro”, thuhet në deklaratën e policisë lokale.
Gjithashtu, për dhënien e informacionit, Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion numrat e telefonit, 069 41 02 355  dhe  069 41 05 397 ndërkohë që garanton ruajtjen e plotë të anonimatit.

Reagimet
Vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, e kanë denoncuar dje, përfaqësues të drejtësisë shqiptare.
Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë, (UGJSH), duke dënuar këtë akt, e cilësoi atë si një sulm që “ka për synim jo vetëm terrorizimin dhe frikësimin e sistemit gjyqësor por, mbi të gjitha goditjen, terrorizimin dhe frikësimin e të gjithë sistemit të drejtësisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe cenimin e sundimit të ligjit në vend”.
Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore te rrisin performancën e tyre ne drejtim te mbrojtjes, sigurisë së jetës dhe familjeve të gjyqtarëve, si dhe shprehu ngushëllimet me te sinqerta familjes dhe te afërmeve të të ndjerit Konomi.
Nga ana e saj, Gjykata e Lartë duke dënuar aktin, ka kërkuar ndëshkim shembullor për autorët e kësaj ngjarje makabre.
Duke shprehur hidhërimin dhe ngushëllimet e sinqerta familjes Konomi për humbjen e njeriut të saj të shtrenjtë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë bashkohen me thirrjen e komunitetit të gjyqtarëve dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore dhe ndëshkimin shembullor të autorëve të kësaj ngjarje makabre.
Edhe Shkolla e Magjistraturës shprehu dje me anë të një deklarate për shtyp, indinjatën dhe hidhërimin e saj për humbjen e jetës së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ish-magjistrat i diplomuar prej saj në vitin 2004.
Duke ju bërë thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkëpunojnë në evidentimin e krimit dhe dhënien e informacioneve që mund të lehtësojnë e mundësojnë zbardhjen e kësaj çështje, Shkolla e Magjistraturës, duke ju drejtuar gjithë ish-magjistratëve që punojnë si gjyqtarë e prokurorë në mbarë Shqipërinë, si dhe kandidatëve për magjistratë që vazhdojnë studimet për t’u bërë gjyqtarë e prokurorë, u bën thirrje të mos dekurajohen në ushtrimin e detyrës së rëndësishme për dhënien e drejtësisë duke ruajtur e forcuar mbi të gjitha integritetin e tyre moral e qytetar dhe detyrimin për zbatimin e drejtë e të ndershëm të ligjit.
Përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjarëve të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, Shoqata e Prokurorëve dënoi ashpër krimin e ndodhur, duke e konsideruar atë si ngjarjen më të rëndë të ndodhur ndaj një përfaqësuesi të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, ndërsa  i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të gjyqtarit të Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, gjithashtu i bën apel kolegëve të tyre prokurorë, që po merren me hetimin e kësaj ngjarjeje, duke i kërkuar të bëjnë të pamundurën për zbardhjen sa më shpejt dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi mafioz të pashembullt.

Policia 100 000 mijë euro
shpërblim për informacion

Numrat denoncues
069 41 02 355 dhe
069 41 05 397

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›