E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet në treg droga e Lazaratit, sekuestrohen 296 kg marijuanë

Operacioni “Fillimi” arreston Petrit Telharajn për transport droge. Lënda narkotike ishte e fshehur në kamionin me banane

GJIROKASTËR – Droga e sapokorrur në Lazarat është hedhur në treg, ku vetëm mbrëmjen e dy ditëve më parë janë sekuestruar 269 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë, ndërsa ka rënë në pranga një shtetas 40 vjeç. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se “është bërë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Petrit Telharaj, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 4 Tiranë, pasi në mjetin që drejtonte u gjet në mes të ngarkesës me banane një sasi prej 269 kilogramësh drogë, e llojit marijuanë. Ai po udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Përmetit me mjetin e tij tip ‘Benz’, furgon me targa TR 5937 B, kur gjatë kontrollit u gjet lënda narkotike e futur në disa çanta shpine. Malli ishte i presuar dhe i futur në kuti njëkilogramëshe. Burime në grupin hetimor pohojnë se mariuana është prodhuar në Lazarat dhe dyshohet se kishte destinacion tregun grek, pasi të kalonte nga pika kufitare e Tre Urave.
Operacioni
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një mjet i cili mund të transportonte lëndë narkotike nga Gjirokastra në drejtim të Përmetit, mbrëmjen e së martës ka nisur një operacion të koduar “Fillimi”. Operacioni është finalizuar me sukses rreth orës 22:00, ku në vendin e quajtur Ura e Dragotit, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit 40-vjeçar Telharaj, i cili banon në kryeqytet. Ky shtetas udhëtonte me automjetin e tij tip “Benz” furgon me targa TR 59 37 B, ku gjatë kontrollit në ambientet e brendshme të furgonit iu gjetën të mbuluara me arka të bananeve 8 çanta shpine ngjyrë të zezë, të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të presuar të llojit marijuanë. Nga këqyrja që iu bë çantave nga grupi hetimor rezultoi se ishin 296 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban me peshë 1 kilogramë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Gjithsej u konstatuan dhe u sekuestruan 296 kilogramë lëndë narkotike e llojit “marijuanë”.
Arrestimi
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës pohojnë se Petrit Telharaj u prangos për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”. Po ashtu, është bërë edhe sekuestrimi i mjetit dhe i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me prokurorinë po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Po ashtu, puna hetimore është përqendruar edhe në origjinën e mallit dhe destinacionin e marijuanës. Nga të dhënat e para, dyshohet se droga është prodhuar në Lazarat dhe kishte destinacion Greqinë. Hetimet e mëtejshme do të nxjerrin detaje të tjera për skemën e trafikimit të lëndës narkotike. Gjatë gjithë verës policia e shtetit nuk arriti që të hyjë në fshatin rebel për të asgjësuar lëndën narkotike që kishin kultivuar banorët e zonës. Tashmë ka përfunduar procesi I korrjes dhe lazaratasit kanë nisur shitjen e mallit, prej të cilit presin të ardhura të konsiderueshme. Nga studimet e bëra, përllogariten rreth 6 milionë euro të ardhurat që vijnë nga shitja e lëndës narkotike që mbillet në Lazarat.

Bllokohen 44 koli me cigare, zhduket kontrabandisti

SHKODËR – Policia e Shkodrës ka arritur që të sekuestrojë një ngarkesë të konsiderueshme me cigare kontrabandë në një mjet, por nuk ka mundur të ndalojë autorin e këtij aktiviteti ilegal. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut në veri të vendit pohojnë se dy ditë më parë, rreth orës 8.40, në kuadër të operacionit të koduar “Malet”, të organizuar nga efektivat e komisariatit të Malësisë së Madhe, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik, është bërë e mundur bllokimi i një automjeti tip furgon “Fiat”, me targë SH 6870 C. Makina ishte e ngarkuar me një sasi prej 20 koli cigaresh, me nga 50 steka secila, të markës “MN”, si dhe 24 koli, po me nga 50 steka secila, me cigare të markës “Respect”. I gjithë mali ishte pa pullë fiskale të Ministrisë së Financave, i futur kontrabandë në territorin tonë. Burimet shtojnë se në mjet është gjetur edhe një sasi e vogël prej 6.4 gram lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis sattiva. Personi i cili po drejtonte furgonin në fjalë, pasi ka konstatuar praninë e forcave policore, ka braktisur mjetin dhe është larguar me vrap në drejtim të një pylli aty pranë. Sipas të dhënave, policia ka identifikuar autorin e kontrabandës dhe po punohet për kapjen e tij.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›