E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i makinave mes Kosovës dhe Shqipërisë, kontrolle në Morinë



KUKËS – Shtimi i rasteve të trafikimit të makinave nga Kosova drejt Shqipërisë ka detyruar autoritetet doganore të Prishtinës që të ushtrojnë kontrolle të rrepta në pikat doganore mes dy vendeve, gjë që ka shkaktuar radhë të gjata në kufi. Mbi 500 automjete kanë pritur gjatë ditës së djeshme deri në orët e pasdites për të përfunduar procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë. Sipas burimeve nga Dogana e Morinit, mësohet se vonesat janë krijuar në anën kosovare, e cila po vijon punën me një sportel. Personeli në atë anë është duke kryer kontrolle të imtësishme të personave që hyjnë e dalin dhe në mënyrë të veçantë të automjeteve. Kontrolli, është në kuadër të vendosjes së rregullit dhe regjistrimit të saktë të kalimeve në doganë dhe nuk ka ndonjë motiv tjetër përpos kësaj. Burimet nga dogana e kanë cilësuar si një kontroll rutinë, që bëhet zakonisht në krye të çdo muaji. “Në sitën e kontrollit po kalojnë gjithë automjetet, të cilave po u regjistrohet numri i shasisë dhe gjithë dokumentacionet e tjera që janë të detyruara sipas ligjit”,- thonë të njëjtat burime, të cilat saktësojnë se situata do të vijë shumë shpejt në normalizim, ndërkohë që drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë pak durim.

SHKURT
Taulant Kondi, shefi i ri i Komisariatit të Vlorës

VLORË - Komisariati i Policisë së Vlorës do të drejtohet nga komisar Taulant Kondi. Kondi vjen në krye të Komisariatit të Policisë së Vlorës pas një përvoje disavjeçare në radhët e uniformave blu, ku ka ushtruar funksione të ndryshme në disa qytete të vendit, mes të cilave edhe në Tiranë. Ai pason në këtë detyrë ish-shefin e komisariatit, Asllan Shyti, i cili u emërua në të njëjtin funksion në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.

Plagos 27-vjeçarin, në kërkim autori

FIER - Një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur, pasi e kanë qëlluar me armë gjahu në rrethana ende të paqarta. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Pojan, të rrethit të Fierit, vetëm pak më parë.
“Shtetasi Florenc Sheqi, 27 vjeç, banor i zonës, ka mbetur i plagosur nga të shtënat e një ame gjahu, saçmat e së cilës i janë derdhur mbi trup”, - thanë të njëjtat burime. I riu, sipas hetimeve të para të policisë, është qëlluar nga pas shpine dhe saçmat e kanë kapur në pjesën e poshtme të trupit, duke përfshirë edhe vithet. Sipas mjekëve, 27-vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjes për të marrë ndihmën e parë, por gjendja e tij është kritike. Policia ka identifikuar autorin dhe është vënë në kërkim të tij.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›