Ndjekje penale për farmacistët që shesin barna kontrabandë
Të gjithë farmacistët që do të tregtojnë në farmacitë e tyre barna kontrabandë, do të ndiqen penalisht. Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë miratoi dje projektligjin për barnat, i cili parashikon rregulla të reja për importimin e barnave dhe farmacitë. Tani farmacistët nuk do të gjobiten ose do t’iu hiqet licenca, por do të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë.
Ditën e hënë pritet që projektligji ti kalojë Kuvendit për diskutim. Projektligji “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik“, parashikon vendosjen e një specialisti për kontrollin e barnave në çdo pikë doganore. Nëpërmjet tij, çdo subjekt do të ketë mundësi të importojë medikamente pa pasur nevojën e një leje importi, por barnat që do të importohen do të kontrollohen në dogana nga një specialisti, i cili do të ketë në dispozicion edhe regjistrin kombëtar të barnave. Ndërsa për fillimin e kësaj veprimtarie, subjekti i interesuar deklaron, në përgjegjësinë e vet, se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për këtë qëllim. Verifikimet do të bëhen nga specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik Rajonal, e cila bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve pune. Por, nëse deri në përfundim të këtij afati, ky autoritet nuk ka dhënë ende të dhënat, atëherë drejtoria farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë mund të delegojë këtë kompetencë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave e cila duhet të shprehet për 10 ditë. Pas marrjes së raportit të inspektimit të lëshuar nga DSHP-ja përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë ka kohë 10 ditë pune për të dhënë licencën. Licenca tërhiqet nga subjekti pranë zyrave të DSHP-së rajonale. Të gjitha subjektet e licencuara për veprimtarinë e tregtimit me shumicë të barnave, mund të tregtojë me shumicë edhe materiale mjekimi, aksesorë si dhe artikuj higjiene – kozmetik dhe dietetikë. Të gjitha kriteret dhe procedurat e miratimit të veprimtarisë si dhe forma e autodeklarimit të subjektit, do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
9 Tetor 2008