E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzon të paguajë gjobën, hyn në qeli për 80 mijë lekë



DURRËS – Një person i dënuar me vendim gjykate me 80 mijë lekë gjobë ka refuzuar të paguajë detyrimin, gjë që ka sjellë arrestimin e tij. I konvertuar në ditë burgu, atij i duhet të vuajë në qeli 16 ditë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit, i lëshuar më datë 31 korrik të këtij viti, i cili përcakton konvertimin e dënimit me gjobë prej 80 000 lekësh në 16 ditë burg për shtetasin Aleksandër Nikolli. 31-vjeçari ka lindur në Rubik dhe është banues në Lagjen Nr. 15 të qytetit bregdetar. Ai është i pamartuar dhe nuk ka qenë i dënuar më parë. Ndaj 31-vjeçarit Nikolli në vitin 2007 ka filluar procedimi penal për ushtrim të palicencuar të aktivitetit të këmbimit valutor dhe për këtë arsye Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës, më datë 15 shtator të këtij viti ka bërë shpalljen në kërkim të tij. “Kapja e tij u bë e mundur nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut. Nga të dhënat e para, mendohet se i dënuari me gjobë nga gjykata nuk ka pasur mundësi financiare për të paguar detyrimin në mbyllje të procesit. Sipas policisë vendore, materialet procedurale në ngarkim të Aleksandër Nikolli iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›