E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani rregullues, zonat e kryeqytetit që do të pësojnë ndryshime



Emanuela Sako

Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian, do t’iu nënshtrohen një sërë ndryshimesh. Bashkia e Tiranës po harton të detajizuar projektin për Planin Rregullues në bazë të të cilit janë përcaktuar zonat ku do të ndërhyhet. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit. Projekti i bashkisë parashikon që në këtë pjesë të Tiranës të bëhet një ndërhyrje e thellë ku të prishen të gjitha ndërtimet pa leje ato që pengojnë për zbatimin e projektit. Njëkohësisht dhe qendra e qytetit do të preket nga disa ndryshime, pasi në këtë pjesë nuk do të ketë qarkullim të automjeteve. Prioritet do të kenë këmbësorët dhe të gjitha ata që kërkojnë të lëvizin me biçikleta. Në këtë listë përfshihen edhe komunat përreth Tiranës, të cilat duhet të plotësojnë kuadratin e një metropoli. Nga zbatimi i këtyre projekteve do të hapen rreth 200 vende pune për të gjithë ata që do të angazhohen në punime. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama ka nisur nga puna për të marrë mendimin e palëve të interesit, me banorët e Njësive Bashkiake Nr. 5, 6, 7 dhe 10 të kryeqytetit, të cilat janë zonat më të prekura nga ndryshimet. Ndërsa po përcakton takimet me njësitë e tjera.
Transformimi
Transformimi i këtyre zonave të kryeqytetit do të jetë një përpjekje për të shmangur informalitetin dhe për t’i kthyer këto zona në shërbim social të qytetarëve. Ish-fusha e aviacionit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit nga një zonë pa ndërtime, gropa, plehra dhe tym do të kthehet në një park me pemë, gjelbërim, kënde lojërash etj. Ndërsa përsa i përket pjesës së Kamzës do të bëhet një punë voluminoze për shkak të mjaft ndërtesave pa leje të ndërtuara në çdo cep të kësaj pjese të Tiranës. Mjaft ndërtesa do të prishen dhe do të ndërtohen të tjera, të cilat do të kenë një standard të caktuar në bazë të projektit. Kjo zonë do të ketë disa qendra tregtare dhe rrugë apo rrugica të detajuara në bazë të planifikimit urban që do të bëhet nga projekti për zonën. Pjesë e kësaj strategjie do të jetë edhe pjesa e Bregut të Lumit, ku tani është kthyer në një “karantinë” banesash të vogla, që strehojnë të pastrehët e kryeqytetit. Qendra e Tiranës do të jetë pjesa më e rëndësishme e projektit, e cila do të ruajë elementët e saj tradicionalë, por do të pësojë disa ndryshime përsa i përket qarkullimit të kontrolluar të makinave. Në këtë zonë lëvizja e automjeteve do të minimizohet dhe do të kthehet në një zonë për kalimin e këmbësorëve dhe lëvizjes me biçikleta. Kjo qendër, si në gjithë vendet e europës, do të ketë mundësinë e krijimit të një korpusi universitar. Pjesë e rëndësishme e projektit është krijimi i Lumit të Lanës në një park me pemë dhe gjelbërim më të madh se ai aktual. Kjo është cilësuar nga bashkia si një pjesë e rëndësishme dhe unike për vetë faktin se lumi kalon përmes qendrës së qytetit, e cila i jep pamje mjaft të bukur qytetit.
Shpronësimi
Në këto zona ka mjaft ndërtime të reja, të cilat për shkak të zbatimit të planit do të bëhen pjesë e prishjes. Ndërsa Bashkisë së Tiranës i lind si detyrë që të bëjë dhe evidentimin e ndërtesave me leje dhe pa leje, nëpërmjet të cilave do të bëhet edhe shpronësimi i pronarëve. Pas përcaktimit të zbatimit të projektit, do të nisin menjëherë inspektimet në terren, ku do të shqyrtohet dokumentacioni i nevojshëm i pronësisë dhe do të bëhet përcaktimi i vlerës reale të objektit që do të prishet. Qytetarët që kanë bërë ndërtime pa leje janë të detyruar të dalin në rrugë ose të mendojnë një zgjidhje tjetër për veten e tyre. Bashkia ka ndjekur të njëjtat procedura, si në projektin e Unazës së Madhe, në projektin e Lumit të Lanës. Në zbatimin e këtyre projekteve u shembën mjaft ndërtesa dhe nisën procesin e shpronësimit mjaft të tjerë. Këtë herë, në zbatimin e projektimit për Planin Rregullues të Tiranës, numri i familjeve ndërtesave dhe banorëve do të jetë më i madh se numri i atyre që janë bërë deri tani. Kështu, pas 6 vitesh pune intensive, në bashkëpunim me specialistët më të njohur europian nga fusha të ndryshme akademike dhe shoqërore, Bashkia e Tiranës prezantoi draftin e Planit të Ri Rregullues të Kryeqytetit.

Box

Plani për Njësitë Bashkiake Nr.5,6,7 dhe 10

1. Ky territor, në Planin e Veprimit për Zbatimin e Planit Rregullues, bën pjesë në territoret që do të zhvillohen përgjatë fazës së parë të zhvillimit të planit rregullues
2. Krijimi i parkut përgjatë Lanës
3. Krijimin e parkut te ish-aeroporti
4. Rivitalizimi i stadiumeve ekzistuese dhe i hapësirave sportive
4. Përshtatje e zonave të prodhimit dhe lidhja e tyre me transportin publik
5. Transformim i ish - zonave industriale të degraduara, në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj).
6. Propozimi për krijimin në këtë territor të disa qendrave sekondare, propozim i cili vitalizon konceptin e zhvillimit të qytetit me shumë qendra.
7. Krijimi i parqeve periferike dhe mundësi aksesi të drejtpërdrejtë në to.
8. Krijimi i parqeve në zonat e reja për zhvillim (rreth 20-30 % e zonës, si hapësirë kompakte)
9. Sistemim të hapësirave publike, në zonat tashmë të formuara.
Identifikim dhe vlerësim të objekteve me vlera historike, arkitektonike të zonës.
10. Ristrukturim urban, hapje rrugësh të reja në brendësi të blloqeve, etj.
Përpjekja e Bashkisë së Tiranës për të realizuar këto synime është e madhe, ndaj është i rëndësishëm dhe kontributi i qytetarëve. Ky kontribut qytetar është i rëndësishëm në projektimin, në ndërtimin dhe në mirëmbajtjen e zonave të reja që synohet të realizohet në qytet apo në përmirësimet urbane të kësaj lagjeje.

Bregu i Lumit parashikohen të ndërtohen:

Ndërtesa të reja
Rrugë të reja
Qendra tregtare

Qendra e Tiranës
Rrugë për këmbësorët, biçikletat
Korpus universitar
Shtim të hapësirave të gjelbra në sheshe

Lumi i Lanës
Kthehet në park me shtimin e pemëve dhe gjelbërimit

Ish-fusha e aviacionit (pranë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit)
Park me hapësirë të gjelbër, me pemë, bar, stola dhe lodra për fëmijët

zhvillimit të njësive rreth e rrotull Tiranës
Kashari
Farka
Dajti

Klubi sportive “Partizani”
Rivitalizimi i stadiumeve ekzistuese dhe hapësirat ekzistuese sportive
Identifikimi dhe vlerësimi i objekteve me vlera historike arkitektonike të zonës

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›