E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rruga e re" fut në grackë pesë trafikantë

Pesë persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohen se trafikonin shqiptarë jashtë shtetit kundrejt pagesave të ndryshme. Linja e tyre e trafikut ishte nga Saranda drejt Greqisë, që kryhej prej vitesh. Madje, policia kishte mundur të binte në gjurmët e tyre, por ata gjenin rrugë të re për të kaluar klandestinët. Pikërisht "Rruga e re" është koduar edhe operacioni i uniformave blu, që është realizuar mëngjesin e djeshëm, duke prangosur pesë persona. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se në orët e para të mëngjesit, nga ana e efektivëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim edhe me forcat operacionale, si rezultat i një pune hetimore në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, realizuan operacionin "Rruga e Re", me qëllim evidentimin, hetimin dhe goditjen e veprës penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. "Gjatë këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë shtetasit Sokol Ahmetaj, 22 vjeç, lindur në Mallakastër dhe banues në Korfuz; Agim Bajaj, 55 vjeç, lindur në fshatin Kuç të Vlorë dhe banues në qytetin e Sarandës; Nase Danga, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mursi të Sarandës, i dënuar më parë në shtetin grek për veprën penale të transportimit të lëndëve narkotike; Sulejman Mulla, 49 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë dhe Florenc Mulla, 22 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë", deklaroi policia. Sipas informacioneve zyrtare, drejtimet e lëvizjes së klandestinëve kanë pasur si qëllim hyrjen nga Shqipëria në territorin e shtetit të Greqisë dhe më pas në vendet e tjera të Komunitetit Evropian, qëllim të cilin e kanë arritur kundrejt pagesës. Grumbullimi i tyre bëhej nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, më pas transporti bëhej drejt qytetit të Sarandës, për t‘i kaluar më tej në territorin e shtetit grek nëpërmjet kufirit tokësor apo atij detar. Policia shtoi se në kuadër të këtij procedimi penal janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj vepre penale. "Janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale disa celularë, si dhe dy automjete, që dyshohen se përdoreshin për transportin e klandestinëve nga qyteti i Sarandës në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin helen", shtoi policia. Sipas policisë, transporti me mjete bëhej deri në zonat e kufirit tokësor, që favorizojnë kalimin e klandestinëve për shkak të terrenit të favorshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›