E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, pranga ish-nëndrejtorit të policisë

Uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit këtë herë kanë përdorur prangat për ish-shefin e tyre. Burime zyrtare të policisë së këtij qyteti bënë të ditur dje pasdite se është ndaluar oficeri i policisë, Gavrosh Sejdini, me detyrë shef i sektorit të pastrimit të parave pranë drejtorisë së policisë së qarkut.

Arrestimi i oficerit të lartë të policisë, rreth orës 17:30 të ditës së djeshme, ka qenë i papritur për ata që e njihnin dhe kishin punuar me të. Mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, kanë bërë të mundur ndalimin e 55-vjeçarit në kuadër të një operacioni të mbajtur sekret deri në momentin e zbatimit.

Akuza

Burime të policisë bëjnë të ditur se 55-vjeçari Gavrosh Sejdini është arrestuar pasi akuzohet për fshehje të provave dhe ndikim në hetimin e një shtetasi. Bëhet fjalë për një person që është arrestuar dhe më pas është lënë i lirë, në vitin 2006, kur Sejdini mbante postin e nëndrejtorit të Policisë së Qarkut të Elbasanit. Akuza zyrtare ndaj personit të cilin Sejdini e ka favorizuar, është vetëm për armëmbajtje pa leje, por burime konfidenciale të policisë bëjnë të ditur se ndaj këtij personi janë ngritur edhe akuza të tjera, që janë fshirë nga dosja hetimore.

Aktualisht, oficeri Sejdini ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit dhe zbardhjes së plotë të akuzave që janë ngritur ndaj tij. Ndalimi në fjalë mund të jetë pjesë e një plani të mirorganizuar nga Prokuroria e Elbasanit, që po heton me rrënjë dosjet e vjetra apo ato të lëna mënjanë për justifikime nga më të ndryshmet. Sot pritet që ndaj Sejdinit të jepet dhe masa e arrestit.

Profili

Oficeri Gavrosh Sejdini ka qenë në detyra të ndryshme në strukturat e policisë së qytetit të Elbasanit që në kohën e komisarit "të hekurt", Edmond Koseni, dhe në një farë mënyre ka gëzuar respekt brenda dhe jashtë mureve të komisariatit të policisë.

Në vitet 2005-2006, Sejdini ka mbajtur postin e nëndrejtorit të Policisë së Qarkut të Elbasanit dhe në fund të vitit 2007 është liruar nga detyra pasi e ka prekur reforma. Ndryshe nga kolegët e tjerë të tij në reformë, Sejdini ka dy muaj që është kthyer sërish në punë, duke u caktuar në një nga sektorët më delikatë dhe të rëndësishëm, atë të luftës kundër pastrimit të parave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›