Hidhet shorti, ekipet shqiptare njohin kundërshtarët në Evropë
NION- Ekipet shqiptare kanë njohur kundërshtarët e tyre në Kupat e Evropës, pas shortit të hedhur sot në mesditë në Nion të Zvicrës. Si rrallëherë, skuadrat tona që marrin pjesë në arenën europiane, kanë qenë disi me fat, pasi kanë munguar përplasjet me emrat e mëdhenj. Kështu, në Champions League, Skënderbeu do të përballet me qipriotët e APOEL, një ekip që në vitet e fundit ka luajtur edhe në fazën në grupe të këtij kompeticioni. Korçarët do të kenë përballë një skuadër të mirëorganizuar, por diferencat nuk janë në nivele shumë të larta. Një short i lehtë për Vllazninë e Shkodrës, që do të ndeshet me maltezët e Birkirkarasë, ndërsa Flamurtari do të ketë përballë një ekip më të fortë se vetja, siç është Buduçnosti i Malit të Zi. Nëse kualifikohen, vlonjatët do të ndeshen në turin e dytë me çekët e Jablonecit. Ndërkaq, Tirana do ta nisë aventurën e saj në Evropë nga turi i dytë. Ajo do të përballet me fituesin e çiftit Spartak Tërnava i Sllovakisë dhe Zeta e Malit të Zi. Kundërshtarë aspak të vështirë në letër për 24 herë kampionët e Shqipërisë. Ndeshjet e turit të parë të Europa League do të zhvillohen në datat 30 qershor dhe 7 korrik, ndërsa ato të turit të dytë në datat 14 dhe 21 korrik. Ndërkohë, Skënderbeu do të zbresë në fushë në datat 12 dhe 19 korrik përballë qipriotëve të Apoelit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)