Hidink: “Nuk e lë Rusinë për Çelsin”

Gus Hidink nuk do të trajnojë Celsin, por do të vazhdojë të drejtojë Kombëtaren ruse. Këtë e ka sqaruar vetë tekniku holandez duke përgënjeshtruar zërat të publikuara në të përditshmen britanike "The Times" për një kalim të tij te klubi londinez. "E di se në futboll nuk mund të thuhet kurrë kurrë, por të shkoja te Celsi nuk do të kishte kuptim", - tha Hidink. "Kemi një projekt për të ristrukturuar futbollin rus brenda vitit 2014 dhe Botërori i vitit 2010 përfaqëson vetëm fazën e parë".
Tashmë është e sigurt që Henk ten Kejt, ish-tekniku i Ajaksit, do të hyjë javën e ardhshme në stafin e Avram Grant, menaxherit aktual të Celsit. Kalimi i trajnerit holandez te londinezët ka nxjerrë jo pak probleme për "arkëtarët" e Amsterdamit, që megjithatë kanë fituar një milion euro në bazë të marrëveshjes me "blutë" e Roman Abramovicit për prishjen e parakohshme të kontratës me teknikun e tyre. Sipas drejtuesve holandezë, në fakt Celsi kishte vepruar fshehurazi për të bërë të vetin Ten Kejtin. Ajaksi bëri të ditur se do t'ia besojë bankinën e skuadrës së parë deri në fund të sezonit Adrie Koster, aktualisht teknik në sektorin e të rinjve të klubit më të famshëm holandez.