Hidrocentrali i Banjes ministri Haxhinasto inspekton punimet

Ministri i Energjitikës, Edmond Haxhinasto ka inspektuar punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës në Gramsh. Qëllimi i këtij inspektimi është për të parë përgatitjet për investimin, i cili kushton 1 miliardë euro. Në ndërtimin e tij do të punësohen mbi 2 mije persona, si dhe sipas ministrit, do të ketë impakt zhvillimor në shumë drejtime.
Në kaskadën e Devollit do të ndërtohen tre hidrocentrale, që do të plotësojnë 20 për qind të prodhimit energjitik në vend.
Ndërtimi hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit të Devollit në rrethin e Gramshit përbën një nga projektet më të mëdha në fushën e hidroenergjisë në vendin tonë. Investimi i mbi 1 miliard euro, ku për realizimin e këtyre veprave mjaft të rëndësishme me kapacitet prodhimi në total nga 280 MW-383 MW parashikohet të punësohen me qindra specialistë e disa mijëra punëtorë të kualifikuar. Do të duhen rreth 6-7 vjet që të përmbyllen të tria fazat e ndërtimit të këtyre veprave, nga ku Shqipëria do të përfitojë 20 për qind më tepër energji të riciklueshme në raport me sasinë që prodhohet në kushtet aktuale. Vetëm nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës do të pëfitohen rreth 320 Megavat energji dhe mbi 90 milion metër kub ujë që do të përdoret për nevojat vaditëse të zonës së Sulovës, Dumresë dhe deri në zonat e Kuçovës.