Amnistia fiskale per banesat afati skadon ne fundgusht

Qytetarët që duan të regjistrojnë banesat e tyre sipas vlerës së tregut, kundrejt një tarife minimale, duhet të nxitojnë në hipotekë. Amnistisë fiskale për rivlerësimin e banesave po i vjen fundi dhe muaji gusht është afati i fundit kur mund të kryhet ky proces.
Kryeregjistruesi, Arben Qirjako i bën thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga kjo amnisti sa më parë dhe mos të dyndën në radhë në ditët e fundit, ashtu sikur ndodhi në muajin mars.
Sipas zotit Qirjako, në mars, kur amnistia nuk ishte vendosur të shtyhej, qytetarët erdhën dhe bën plot 13 mijë aplikime. Pas shtyrjes së afatit nga qeveri deri në fund të gushtit, qytetarët e morën më shtruar dhe bën në prill vetëm 3 mijë aplikime. Për këtë arsye këtë muaj vere pritet që pranë hipotekës të vijnë mijëra qytetarë për të bërë rivlerësimin e banesës.
Nëse banesa nuk do të jetë e rivlerësuar dhe do të ketë çmimin fillestar, atëherë diferenca që i paguhet shtetit në rast se ajo shitet do të jetë shumë e lartë. Falë amnistisë rivlerësimi bëhet kundrejt një tarife prej 1 për qind.
Për gjashtë mujorin e vitit 2012, janë bërë rreth 30 mijë rivlerësime banesash nga qytetaret, të cilët kanë përfituar nga amnistia fiskale.