Shëndetësia mes reformës, burgut dhe plagëve
Fatos Çoçoli
Ende pa u “tharë” lajmi i arratisjes jashtë shtetit të një kirurgu që duhej të shkonte në burg pse kishte marrë para nën dorë nga pacientët, opinioni publik u trondit dy ditë më parë nga plagosja e rëndë me thikë e mjekut të njohur endokrinolog Agron Ylli. Nëpër kafene, shqiptarët janë të ndarë: disa flasin se këto që po bien mbi bluzat e bardha janë çfarë ato kanë mbjellë, korrupsion dhe largim nga parimet e Hipokratit në emër të parave vetjake. Të tjerëve, më tolerantë, u vjen keq për këtë situatë gati të padurueshme prej mjekëve, të cilët ndihen të pambrojtur. Pyetja që ngrihet është: Kjo plagosje e bujshme do ta përmirësojë shërbimin mbrojtës ndaj mjekëve dhe punonjësve të mjekësisë në tërësi, apo gjendja do të lihet kështu, spontane se edhe vetë mjekëve u intereson që gjithkush të hyjë e të dalë lirshëm nëpër spitalet shtetërore, pse shumica sjell para për xhepat e tyre privatë nga vizita gati private në ambiente publike? Ose një pyetje tjetër ngrihet edhe më e thekshme: Arrestimet e kohëve të fundit do të kufizojnë korrupsionin në shëndetësi, apo thjesht ata që jetojnë me këtë korrupsion do t’i bëjë më të kujdesshëm kur do ta kryejnë në të ardhmen? Ndërsa pyetja më sfiduese që vihet përpara ministres Godo është: A është korrupsioni e keqja themelore e strukturës dhe sistemit që ajo drejton? Korrupsion ka pasur, ka dhe do të vijojë të ketë. Ka në vendet më të zhvilluara dhe me shtete e praktika fiskale të konsoliduara në shekuj. Është tërësisht e vërtetë se korrupsioni e ka kapur shtetin tonë për brirësh dhe e nduk fort. Prapë se prapë, nuk është duke djegur koka korruptive që ai të pakësohet dhe vendi të çlirohet nga demoni. Mjafton të shikojmë rastet e dy kirurgëve të njohur (një i kapur në gusht dhe tjetri në nëntor të këtij viti që pastaj u zhduk jashtë shtetit) që u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke u marrë para (ose duke i pranuar ato) nga pacientët. Janë raste të vetme? Aspak. A i dënoi opinioni ynë publik? Jo dhe aq. Mjekët e tjerë të paktën i konsideruan si dy fatkeqë që u kishte rënë një copë shkëmb nga qielli. Pse disa prej këtyre mjekëve bëjnë të njëjtën gjë, marrin para nga pacientët e tyre? Ndoshta 95 për qind e mjekëve. Pra me mijëra mjekë. Kjo është sa e frikshme, aq e vërtetë. Dhe nuk mund t’i arrestosh për mitmarrje të gjithë mjekët. Reforma kryhet duke arritur që mjeku të mos shohë xhepat e pacientit. Të mos kapet dhe të humbë personalitetin e vet te dy mijë, pesë mijë, dhjetë mijë apo njëzetmijë lekët e vjetra(apo edhe me qindra mijëra lekë në raste operacionesh) që ia ofron pacienti në spitalet e ambulancat publike. Mjekët tanë janë në tri kategori: ata të kategorisë së parë janë tejet të maturuar, një pjesë fare të vjetër, që nuk konsultojnë internetin dhe nuk lexojnë apo shohin të rejat e fundit të shkencës mjekësore. Këta mjaftohen me eksperiencën e grumbulluar në vite dhe me receta apo diagnoza formale. Shfrytëzojnë njohuritë e pakta apo zero të pacientit të zakonshëm shqiptar dhe ende qëndrojnë në pozita kyçe e u shërbejnë shumicës së shqiptarëve. Disa kanë edhe klinika private dhe janë kthyer një pjesë në tregtarë të pacipë. Kategoria e dytë janë ata mjekë relativisht të rinj që udhëtojnë nëpër internet, kanë kryer edhe specializime jashtë dhe u intereson karriera profesionale. Mbi këta duhet të mbështetet ministrja e re nëse kërkon të bëjë reformë. Ata janë ende të paktë, për fat të keq, por është pjesa më shpresëdhënëse e mjekësisë sonë. Kategoria e tretë u përket mjekëve shumë të rinj, të prodhuar në seri sidomos në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit të tranzicionit, që, fatkeqësisht, vetëm emrin e kanë të tillë sepse nuk mbushin fare. Këta tre lloj tipash mbushin armatën e më shumë se pesë mijë mjekëve shqiptarë. Kam mik një mjek dhe më thotë se nuk do të donte kurrë të varej nga xhepat e pacientit. Do të donte t’i refuzonte ato lekë. Mirëpo, përveç faktit që ose pacienti fyhet, ose kolegët e tallin ose më keq e urrejnë që s’do të bëhet si ata dhe mund t’i ngrenë kurth për ta flakur nga puna, ky mik mjek më thotë edhe se me 350 mijë lekët e vjetra që merr në muaj s’ka ku të shkojë dhe është i detyruar t’i pranojë lekët e pacientit. Kjo është bërë kronike, e përditshme dhe prej kësaj dilet vetëm me reformën e thellë në sistemin e sigurimeve shëndetësore. Duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët me të ardhura të mjaftueshme për të mirën e sistemit publik shëndetësor. Shteti të përballojë kontributin e familjeve të varfra që s’kanë ç’të paguajnë. Kështu është në të gjitha vendet e zhvilluara dhe ku ne aspirojmë të vemi. Kështu duhet të fillojë të jetë edhe te ne. Kjo është rrugëdalja. Asnjë paketë apo aksion i furishëm kundër korrupsionit nuk mund ta zëvendësojë këtë reformë. Mirëpo, a ka më kohë, kur viti 2009, që do vetëm dy javë të vijë, është një vit zgjedhor dhe ministrat do të angazhohen kokë e këmbë për interesat e partive që u përkasin? Megjithatë, ende mund të bëhen shumë gjëra të mira, me vullnet të fortë e synime të qarta.
16 Dhjetor 2008