Hienat rreth opozitës
Sot, një muaj pas mbylljes së qendrave të votimit, Shqipëria është e turpëruar në sytë e botës. Edhe pse kanë kaluar katër javë, ende nuk ka një rezultat të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për më tepër, ai që do të japë zyrtarisht KQZ-ja e kontrolluar nga Kryeministri i vendit, nuk do të jetë rezultati i vullnetit të zgjedhësve shqiptarë. Fitorja e tyre u vodh.
U vodh nga numërimet skandaloze të tri javëve që pasuan dhe vendimet e kontrolluara direkt nga një Kryeministër pa mandat popullor. Opozita e majtë, e kryesuar nga PS-ja, është sot fituesja morale e këtyre zgjedhjeve që nuk kanë fitues zyrtar. Jo rastësisht PD-ja e Sali Berishës - edhe pse me patericën LSI-së për të siguruar një mandat të pamerituar - nuk ndjehet e qetë dhe fitimtare. Sepse nuk është e tillë.
Në fakt, ky duhet të ishte debati i këtyre katër javëve të shkuara, ku pushteti u angazhua për të mbyllur me ngut një dosje që nuk mund të arkivohet kaq kollaj.
Legjitimiteti i zgjedhjeve të deformuara, mandateve të zhbëra me manipulime dhe të certifikuara me urdhra politikë do analizohet gjatë, ashtu siç vazhdojnë të kujtohen e analizohen zgjedhjet e 26 majit. PD-ja dhe Kryeministri i saj e humbën betejën për të patur ligjërisht një katërvjeçar tjetër në drejtimin e vendit.
Shumica e formuar artificialisht është më e pasigurta dhe më e dobëta që një forcë në pushtet ka patur ndonjëherë në Shqipëri. Përballë këtij realiteti që nuk mund të fshihet, është opozita e majtë, e cila me mandatet që i mbetën pas batërdisë së votimeve dhe numërimeve, është një forcë e frikshme për qeverisjen që ka ëndërruar Berisha.
Ndaj, nuk është për t'u habitur pse sulmet më të ashpra prej tri javësh u drejtuan nga udhëheqësi i koalicionit të PS-së drejtuar nga Edi Rama, e vetmja pengesë e manipuluesve për t'i vënë kapakun manipulimit.
Përgjatë kësaj kohe, ata tentuan të vidhnin mandate si i Fierit, të mos hapnin kutitë e abuzimeve në Shkodër, Tiranë dhe Berat, që do të hidhnin dritë mbi mandatet që mungojnë në llogaritë e opozitës, duke ndryshuar tërësisht situatën.
Rama ka premtuar se do t'i shkojë deri në fund hetimit të maskaradës zgjedhore dhe votuesit e majtë e meritojnë këtë. Edhe një herë nuk ishte e vështirë të shihnim cullak ata që janë të interesuar për të mbyllur sa më shpejt farsën zgjedhore.
Ndaj, ashtu si para dhe pas takimit të djeshëm të PS-së, sulmet u përqendruan te artikuluesi i akuzave për vjedhje të vullnetit të popullit. Përdorin të njëjtën skemë që tradicionalisht Berisha ka përdorur për të bërë opozitën prej vitit 1992.
Faqe popullit, drejtuesi i fushatës së hienave ndaj opozitës, nuk di gjë, siç nuk dinte ku binte Gërdeci. Thotë se nuk i pëlqen të merret me punët e opozitës. Pikërisht ky tip që përdor foltoren e Kuvendit për të na dhënë lajme mbi vendndodhjen e grave apo motrave të deputetëve të opozitës: "Kjo nuk është puna ime.
Ai e ka shumë të qartë se kur përpiqej të merrte PS-në, unë kam pasur zero ndërhyrje. Unë nuk ndërhyj kurrë dhe këtë jua them në mënyrë absolute, në asnjë forcë politike, jo më tek PS-ja, që është partia kryesore opozitare", - thotë dhelpra që ka pudrosur këmbën me miell të bardhë.
Por, në fakt, ai ka bërë të njëjtën gjë prej 17 vitesh. Me karotë ose me shkop ka rrëmbyer atë që ligjërisht dhe moralisht nuk mundet ta ketë.
Çfarë po ndodh sot? Në njërën anë është opozita që kërkon rihapjen e maskaradës zgjedhore të 28 qershorit. Në anën tjetër të barrikadës, krah Berishës, është Nano dhe përkrahësit e tij brenda dhe jashtë PS-së, që duan jo vetëm kokën e Edi Ramës, por edhe trupin e PS-së. Për çfarë e duan?
E duan për t'i dhuruar kryetarit të PD-së, dhe simotrës së tij siameze një pushtet të gjatë dhe të qetë. E duan që kjo qeveri e çalë të arrijë të bëjë ç'të dojë në një vend pa opozitë.
Për fat të mirë, qytetarët e këtij vendi e kanë kuptuar mirë çfarë po ndodh.
Ndaj dhe vendimi i djeshëm i PS-së, por edhe vendimet që do të merren më pas, nuk kanë të bëjnë as me fatin personal të kryetarit të PS-së, as me ambiciet e karrikethyerëve në PS, që bëjnë lojën e Saliut.
Këtu luhet fati i demokracisë dhe kjo nuk mund t'u lihet në dorë as organizatorëve të masakrave zgjedhore dhe as përfituesve momentalë të copave të pushtetit abuziv.