E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena bllokon tregun e bulmetit

 

KORÇE - Prej disa ditësh është bllokuar merkatoja ku tregtohen bulmetrat në Pazarin e Korçës. Ka qenë vetë inspektorati veterinar pranë bashkisë që ka vendosur të bllokojë këtë treg, mbasi gjendja higjieno - sanitare e tij linte shumë për të dëshiruar. Këtu djathi, gjalpi dhe nënproduktet e tjera të bulmetit tregtohen në një mjedis të hapur dhe në prani edhe të mizave dhe insekteve të tjera. Ndërsa secili tregtar mbante bulmetrat në disa kasaforta hekuri gjithë ndryshk. Po në to nuk mungonin edhe brumbuj e miza të ndryshme. Ka qenë kryeinspektori i këtij tregu, Stefan Barka, që ka urdhëruar mbylljen e tregut të bulmetit, dezinfektimin e tij dhe mandej kryerja e disa shërbimeve në rritje të higjienës dhe pastërtisë. Pas largimit të tregtarëve, bashkia ka marrë masa për dezinfektimin e të gjithë pjesës ku tregtohen bulmetrat. U vu re se gjendja e kasafortave të tregtarëve, të ndërtuara nën banakët ku tregtonin bulmetrat kishin probleme të dukshme. Gjatë ditëve të fundit janë dezinfektuar dy herë, gjë që nxori nga foletë e tyre insekte të ndryshme që bashkëjetonin me bulmetin. Duke vlerësuar gjendjen alarmante, inspektorati veterinar ka kërkuar që të kryhen edhe disa pastrime e rikonstruksione të tyre. Përgjegjësi i tregut, Pirro Çifligu, bëri të ditur se pas dezinfektimit e pastrimit do të kryhen edhe disa rikonstruksione, si: shtrimi brenda kasafortave të pllakave dhe lyerja me bojë vaji të dyerve prej hekuri. Këto investime që do të kryhen shumë shpejt nuk i zgjidhin problemet e pastërtisë dhe të higjienës së këtij tregu. Është kjo arsyeja që në Bashki është hedhur mendimi që në këtë pjesë të tregut të vendosen banakë frigoriferikë, me qëllim që shëndeti i konsumatorëve të jenë sa më i mbrojtur. Njëherësh pritet që këtu të kryhen edhe disa investime, si futja e ujit në disa pika të merkatos, shtrimi me pllaka dhe ndërtimi i mjediseve higjieno-sanitare. Bllokimi i këtij tregu ka lënë pa punë gati 60 tregtarë të bulmetit në Pazarin e Korçës, të cilët janë të ndërgjegjshëm për ndryshimin e gjendjes.               j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›