Vetëvritet me armën e punës gardiani i burgut të Peqinit
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Vret veten me një plumb pistolete gardiani i burgut të Peqinit. Elton Ahmati, 57 vjeç, u gjet i pajetë brenda banesës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se trupi i Ahmatit u zbulua nga familjarët e tij, pa asnjë shpresë jete. Një plumb i vetëm, nga arma e punës, ka qenë fatal për gardianin, baba i tre fëmijëve. Familjarët e tij janë munduar që t’i japin ndihmën e parë, por mjekët e spitalit të Elbasanit konfirmuan vdekjen e tij. Ahmati mësohet se kishte punuar prej vitesh në radhët e uniformave blu. Më parë ai ishte angazhuar me shërbimet e policisë në komisariatin e Elbasanit. Para më shumë se 2 muajsh, 57-vjeçari ishte punësuar si efektiv i punonjësve të burgut në Peqin. Gjatë kësaj periudhe, sipas burimeve nga burgu i sigurisë së lartë mësohet se Ahmati nuk kishte pasur asnjë problem me eprorët apo me të burgosurit. Ai nuk kishte qenë në detyrë të shtunën, ndërsa lajmi i rëndë për vdekjen e tij është mësuar nga kolegët paraditen e djeshme. Të lajmëruar nga familjarët, oficerët e policisë së Elbasanit mbërritën në vendngjarje për të zbardhur shkaqet, që e shtynë gardianin drejt vetëflijimit. Sipas policisë dyshohet se polici i burgjeve mund të ketë qëlluar veten për shkak të gjendjes së rëndë depresionit në të cilën ndodhej. Duke iu referuar deklarimeve të familjarëve të së ndjerit, policia tha se kohët e fundit Ahmati kishte shfaqur shenja të depresionit. Nuk dihen arsyet e krijimit të kësaj gjendjeje, ndërsa bëhet e ditur se 57-vjeçari ishte baba i 3 fëmijëve. Prokuroria e Elbasanit po heton për të zbardhur motivin e saktë të vetëvrasjes, ndërsa do të merren në pyetje të gjithë familjarët si dhe kolegët për të hedhur sadopak dritë mbi misterin e kësaj ngjarjeje. Sipas policisë, vetëvrasja është kryer me armën që Elton Ahmati mbante dhe gjatë shërbimit. Pak ditë më parë, një ushtar profesionist i forcave komando u vetëvra në Tiranë, në pamundësi për të shlyer një kredi të marrë në një prej bankave të kryeqytetit.