15 mijë ton naftë pa akcizë për furrat e bukës, Policia Tatimore nis kontrollet
Qeveria do të rimbursojë akcizën e lëndëve djegëse (solar dhe mazut) që konsumojnë furrat për prodhimin e bukës, me qëllim përballimin e konkurrencës dhe uljen e kostos së prodhimit të këtij produkti, bënë të ditur dje zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Ministria e Financave dhe ajo e Bujqësisë kanë miratuar projektvendimin e ri për rimbursimin e akcizës së lëndëve djegëse të konsumuar nga industritë e prodhimit të brumërave, qumështit, serat me ngrohje etj., i cili pritet të kalojë për miratim në qeveri. Sipas këtij projektvendimi, parashikohet që për linjat e prodhimit të bukës të rimbursohet akciza për rreth 15 000 ton solar e mazut në vit. Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thanë po ashtu se projektvendimi specifikon kërkesat që duhet të plotësojnë subjektet për të fituar rimbursim, në përputhje me sasinë e produktit të shitur me faturë TVSH-je. Ndërkohë që, Policia Tatimore ka nisur dje një aksion në shkallë të gjerë, për të verifikuar të gjitha pikat e shitjes dhe prodhimit të bukës që kanë rritur çmimet.
Policia Tatimore verifikim të gjitha furrave, 70 % kanë rritur çmimet
Drejtori i përgjithshëm i kësaj strukture tha dje se, Policia Tatimore po bën verifikimet, me qëllim që asnjë prodhues i bukës, i cili ka rritur çmimet, të mos mundë të fshehë fitimet dhe të mos paguajë tatimin mbi fitimin. Drejtori tha se rreth gjysma e furrave të bukës kanë aplikuar çmime të reja të rritura të bukës dhe punonjësit e Policisë Tatimore po shënojnë dhe po llogarisin mbi këtë bazë fitimet e reja. Po ashtu, njësia e metrologjisë dhe e peshave ka nisur kontrollin e të gjitha furrave mbi masën reale të bukës. Zyrtarë nga kjo njësi thanë se ata po verifikojnë të gjitha furrat dhe do të gjobisin gjithkënd që abuzon me peshën e bukës. Ata thanë se deri më tani janë gjetur disa raste dhe po hetohen të tjera, ku buka shitet nën peshën e saj dhe të gjitha rastet abuzive do të gjobiten. Ata thanë se masat e marra do të jenë mjaft të ashpra. Strukturat shtetërore kanë ndërmarrë një angazhim të madh për të mos lejuar spekulimin me çmimet e bukës dhe me peshën e bukës.
Ministria e Bujqësisë, çmimet janë rritur artificialisht
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit thonë se rritja e çmimit të bukës nga 80 lekë në 120 lekë është krejtësisht e pajustifikueshme dhe për këtë ajo fajëson disa prodhues të mëdhenj, të cilët dominojnë tregun. Çmimet e grurit kanë pësuar një rritje të vogël muajt e fundit, rritje e cila është vetëm 10 % dhe kjo nuk mund të çojë në një rritje me 50 % të çmimit të bukës. Gjithashtu, sasia e grurit që vjen nga importi është vetëm 60 % e sasisë së grurit që përdoret në vend, pasi 40 % është prodhim vendas dhe kjo nënkupton se prodhuesit e bukës nuk janë krejtësisht të varur nga çmimet e importit. Drejtoria e Policisë Tatimore tha se do të llogarisë çdo qindarkë të prodhuesve të bukës dhe për këtë gjë ata do të paguajnë tatim të fitimit, pa mundur t’iu shmangen detyrimeve. Ministria e Financave beson se shteti nuk mund të ndërhyjë në caktimin e çmimeve, por ajo beson po ashtu se pagimi i tatimit të fitimit do të bëjë që prodhuesit të mos spekulojnë me çmimet.