Kriza e vizave dhe presidenti Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zbuloi dje publikisht një pjesë të negociatave të tij me faktorin shqiptar në Maqedoni për kapërcimin e krizës së vizave, të paralajmëruar mes dy vendeve. Sipas presidentit Topi, kriza është shmangur nga angazhimi i fortë dhe direkt i tij përmes takimeve me Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin në Tiranë dhe pastaj mes bisedimeve Thaçi-Gruevski. Sinqeriteti me të cilin presidenti dëshmoi për këtë krizë të krijon shumë pështjellime për anormalitë e funksionimit të shtetit shqiptar dhe akoma më shumë të faktorit shqiptar. Nga aq sa tha presidenti, unë bindem se i vetmi njeri që nuk paska pasur faj në çështjen e vizave paska qenë kryeministri Gruevski. Përderisa kriza është zgjidhur nga bisedimet Topi-Thaçi dhe pastaj Thaçi-Gruevski, do të thotë që pala maqedonase nuk ka pasur ndonjë problem me shtetin shqiptar, por me faktorin shqiptar në Maqedoni, pasi iua ka bërë atyre dhuratë zgjidhjen e krizës. Do të ishte ndryshe, sikur presidenti Topi të ishte angazhuar direkt në bisedime me Gruevskin apo Cervenkovskin. Atëherë do të kishim një dëshmi mbi një krizë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Dëshmia e djeshme e presidentit Topi na tregon të gjithëve, se kriza ekziston mes Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Maqedoni.
Pikëpyetja e dytë që lind nga kjo histori është roli i diplomacisë shqiptare. Hollësitë teknike që u bënë publike nga zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë për krizën e vizave kishin të bënin me një papërgjegjësi të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Sipas palës maqedonase, paralajmërimi për krizën i është dhënë ministrit Basha në Maqedoni gjashtë muaj më parë, por ai, siç shoqëron çdo gjë me të qeshur, e ka marrë me të qeshur dhe këtë paralajmërim dhe e ka futur vendin në një krizë banale, nga e cila na paska nxjerrë ndërhyrja e presidentit Topi pranë Menduh Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, në pushtet, në Maqedoni.
Pas këtyre dëshmive publike, shkaqet e shpërthimit të kësaj krize bëhen dhe më banale, por dhe më të mistershme njëkohësisht. Bëhen banale, pasi qenkan përdorur më në fund si një qokë e faktorit shqiptar në Maqedoni për Tiranën zyrtare. Dhe, meqë Sali Berisha nuk e ka pritur Menduh Thaçin, për arsyet e veta, del që i vetmi faktor institucional në Shqipëri, që është i pavarur nga Berisha dhe mund ta presë Menduh Thaçin pa leje të tij, pra presidenti Topi, ka zgjidhur krizën gati me mjete banale. Thjesht duke pirë një kafe me Menduh Thaçin dhe duke e dërguar atë te Gruevski. Por kriza është po ashtu e mistershme, pasi, nëse ajo ka nisur prej institucioneve të shtetit maqedonas, duhet të zgjidhej me negociatat mes dy diplomacive. Lulëzim Basha jo vetëm që nuk u angazhua në këtë proces, por e ka fyer diplomacinë maqedonase, duke i thënë se po bënte veprime të nxituara dhe të papërgjegjshme. Dëshmia e sinqertë e Bamir Topit na bën të gjithëve të mendojmë se në këtë krizë që përfundoi si një “stuhi në gotë”, nuk kemi të bëjmë me një krizë thelbësore mes dy vendeve, por një përdorim të problemeve politike në të dy anët e faktorit shqiptar, për ta përdorur një problem të shpikur si fuqi politike. Sali Berisha nuk takohet me Menduh Thaçin për shkak të mërive të veta personale, pasi Thaçi e ka anatemuar atë politikisht në vitin 1999, pse Berisha ishte më afër Rugovës. Meqë Berisha e ka këtë problem me Menduh Thaçin, e ka automatikisht dhe Lulëzim Basha dhe linja politike e Berishës. Bamir Topi që nuk e ka këtë problem e ka marrë seriozisht si krizë dhe është çuditur, kur është zgjidhur nga një kafe me Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin. Kjo natyrisht që nuk ia ul vlerat aspak ndërhyrjes fatlume të Bamir Topit, por na ul vlerat ne si Shqipëri dhe Tiranës zyrtare për personalizim të marrëdhënieve të saj me faktorë të veçantë shqiptarë në Maqedoni. Problemet që ka Menduh Thaçi me kryeministrin e Shqipërisë dhe problemet që ai ka me politikën ndërkombëtare nuk janë problemi i shqiptarëve dhe maqedonasve. Ata kanë axhendën e tyre dhe nuk ka përse në këtë axhendë të shpiket një krizë, e cila zgjidhet nga investimi i presidentit të Shqipërisë te faktori shqiptar. Do të ishte serioze që kriza mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, nëse ishte krizë thelbësore, të zgjidhej nga takimet Topi-Cervenkovski, Berisha-Gruevski dhe më poshtë sipas hierarkisë, por fakti që është zgjidhur nga takimi Topi-Thaçi e bën gjithçka banale për Tiranën zyrtare.