Hilari Klinton mbyll turneun në Azi

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i kërkoi sot Kinës të vazhdonte të blinte bono nga Thesari amerikan, për të cilat ai është i vetmi vend që ka të tilla në botë, në çastin kur Uashingtoni do të përballet me një borxh në rritje. "Mendoj se qeveria kineze dhe banka qendrore kineze duhet të marrin një vendim të zgjuar duke vazhduar investimet në bono thesari", deklaroi Clinton përpara shtypit, pak përpara largimit nga Pekini. "Ne do të përballemi me një rritje të borxhit tonë", shtoi Clinton duke iu referuar krizës aktuale, në fund të një vizite triditore në Kinë. "Nuk do të ishte në interesin e Kinës nëse ne nuk do të ishim në gjendje të rimëkëmbnim ekonominë tonë", shtoi ajo duke theksuar se në çfarë mase dy ekonomitë ishin "të lidhura me njëra-tjetrën". "Kështu duke vazhduar mbështetjen e instrumentave të Thesarit amerikan, Kina e pranon varësinë që kemi nga njëri-tjetri. Kuptohet qartë se do t'ia dalim së bashku ose do të humbim që të dy", shtoi sekretarja e Shtetit. Clinton, u largua sot nga Pekini.Sipas një gazetareje të AFP-së, Clinton u nis nga Pekini duke mbyllur kështu një turne njëjavor në Azi gjatë të cilit ajo vizitoi edhe Japoninë, Indonezinë dhe Korenë e Jugut.