Rusi,kërkohet hetim i ri për vrasjen e gazetares
Një gjykatës rus ka kërkuar një hetim të ri për vrasjen e gazetares Ana Politkovskaja, pak pasi tre persona u liruan nga akuza për pjesëmarrje në vrasje. "Pasi gjykatësit vendosën që vëllezërit Mahmudov dhe Sergej Kadzhirkubanov nuk janë të përzier në këtë krim, rasti duhet të kthehet në prokurorinë ruse për hetim të ri, dhe të gjenden personat që janë të implikuar", deklaroi gjykatësi Jevgenij Zubov. Ndërkohë që shtypi rus shkruan se hetimi për vrasjen e Ana Politkovskaja ka dështuar plotësisht, pas lirimit të të dyshuarve kryesorë. Organi i akuzës, menjëherë pas dhënies së vendimit, kishte lajmëruar se do ta apelojë vendimin, ndërkohë që pala mbrojtëse u shpreh se do të kërkonte dëmshpërblimet. Ana Moshalenko, njëra prej avokateve të familjes Politkovskaja, në momentin e dhënies së vendimit tha se ata e prisnin një gjë të tillë. Avokatja kritikoi punën e organeve të akuzës. Ndërsa i biri i gazetares ruse, Ilia tha pas verdiktit, se familja e tij do të respektonte rregullat e gjykatës. Gazetarja investigative e "Gazetës së Re" Ana Politkovskaja, ishte e njohur për kritikat e ashpra të politikës rusë në Çeçeni. 48 vjeçarja Politkovskaja, pasi kishte publikuar dy artikuj kritikë mbi korrupsionin dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në Çeçeni, u vra në apartamentin e saj më 7 tetor 2006, kur po kthehej nga supermarketi. Kremlini zyrtar ka mohuar vazhdimisht cdo lloj përfshirjeje, duke thënë se vrasja ishte një përpjekje për të diskredituar Rusinë.