Berisha, deputetëve: Sillni projektligje
Puna në komisionet parlamentare duket se nuk është bllokuar vetëm nga bojkoti i opozitës, por edhe nga mungesa e projektligjeve. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së është diskutuar dje forcimi i institucionit të Parlamentit dhe veçanërisht është kërkuar që projektligjet të diskutohen më gjerësisht në komisionet parlamentare. Kryeministri duket se ka rënë dakord me propozimin e deputetëve, se projektligjet të cilat duhet të kalojnë në Parlament për miratim duhet të diskutohen dhe shqyrtohen me përpikmëri në komisionet përkatëse. Një ndër projektligjet për të cilat synohet një diskutim i gjerë është edhe ai për "rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë", ku një pjesë e deputetëve të PD-së kanë gati edhe diferencimin për ndarjen e bonusit për transportin e tyre, pas vendimit për heqjen e makinave.