E Diel, 1 Nëntor 2026

Hillari Klinton, uron ministrin e Jashtëm, Meta

“Ju garantojmë mbështetjen tonë në proceset e integrimit euro-atlantik”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka marrë dje një mesazh urimi, nga Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, me rastin e emërimit në detyrën e re. Klinton i përcjell Metës urimet e saj më të sinqerta dhe garanton vijimësi të bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, teksa ka garantuar se SHBA do mbështesë fuqimisht integrimin Euro–Atlantik të Shqipërisë.

“Ne ju premtojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për integrimin Euro–Atlantik të Shqipërisë. Ju uroj sukses të plotë në detyrën tuaj të re dhe pres me kënaqësi të punoj së bashku me Ju, në mbështetje të objektivave të përbashkëta të dy vendeve tona për një Evropë Juglindore stabël dhe paqësore, dhe për të çuar më tej sigurinë dhe vlerat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë botën. Kam besim se duke realizuar këto objektiva, partneriteti i ngushtë ndërmjet vendeve tona vetëm se do të thellohet”, thuhet në mesazhin e urimit të Sekretares së Shtetit, Klinton drejtuar Ministrit të Jashtëm Ilir Meta.

Klinton thekson më tej se e sheh me prioritet intensifikimin e bashkëpunimi me Shqipërinë. Ajo bën me dije se integrimi i Shqipërisë në NATO, ishte një arritje madhore jo vetëm për vendin por dhe për aleancën, në drejtim të lirisë dhe sigurisë në botë.

“Pres me kënaqësi të punoj së bashku me ju për nxitjen e lirisë dhe begatisë në rajonin tuaj dhe në gjithë botën. Ky ka qenë një vit i rëndësishëm për partneritetin tonë. Ishte nder për Shtetet e Bashkuara që bashkë me aleatët e saj të NATO-s mirëpriti Shqipërinë në Aleancë gjatë këtij viti, një reflektim ky ndaj kontributeve pozitive të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global”, thuhet më tej, në urimin e Sekretares së shtetit, Klinton.

Kjo iu konfirmuar ministrit Meta, gjatë takimit që zhvilloi dje me Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers. Shefi i diplomacisë shqiptare, e falënderoi Ambasadorin Withers për mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

Pas vlerësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Ambasadori Withers i dorëzoi Metës mesazhin e urimit të Sekretares së Shtetit, Hilary Klinton, përmes të cilit ajo shpreh mbështetjen e vazhdueshme që SHBA do t’i japë Shqipërisë gjatë procesit të integrimit Euro-Atlantik si dhe thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA dhe Shqipërisë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›