E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli u kërkon komisioneve përfundimin e shqyrtimit të projektligjeve

Kuvendi i Shqipërisë nisi dje punimet me kërkesën e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, për intensifikim të punës në komisionet parlamentare.

Në seancën plenare u diskutua në parim disa projektligje të rëndësishme si ai “Për autoritetin rrugor shqiptar”, “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, ratifikimin e dy marrëveshjeve mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverive të Çekisë dhe Spanjës për bashkëpunim në luftën kundër krimit, etj. Në seancën e djeshme Kuvendi u njoh dhe me disa ndryshime në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit të miratuara nga Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duke njoftuar deputetët për këto ndryshime tha se “Konferenca ka vendosur, që duke filluar nga java e ardhshme, për shkak se jemi në një legjislaturë të re, nuk mund të pranojmë më që numri i orëve të seancave plenare të jetë më i madh se sa numri i orëve të punës së komisioneve parlamentare. Kjo është nonsens. Ne nuk kemi më nevojë që të bëjmë shumë ligje, siç kemi bërë në 4-vjetarin e kaluar, por kemi nevojë që më shumë sesa një numër të madh ligjesh, të bëjmë ligje të cilësisë dhe të standardeve evropiane, siç e kërkon ky stad i zhvillimit”.

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që duke filluar nga java e ardhshme, përqendrimi dhe fokusi kryesor i punës do të jetë në komisionet parlamentare, ku kërkohet gjithë përfshirja, konsultime, ftesë të grupeve të interesit, të organizatave të ndryshme joqeveritare etj. Kjo punë do të bëhet në komisione, në ditët e hënë, të martë dhe të mërkurë, për të lënë që ditën e enjte të bëhet seanca plenare", sqaroi kryetarja Topalli procedurën e re të vendosur nga Konferenca e Kryetarëve.

Më tej, deputetët vijuan me diskutimet e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, ku kryesisht u përqendruan në projektligjin “Për autoritetin rrugor shqiptar” dhe projektligjin “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”.

Ky i fundit u cilësua nga Kryetarja e Kuvendit si pjesë e reformave të rëndësishme të qeverisë, me qëllim rritjen ekonomike, dhe si një projektligj që shfaq “anën njerëzore” të qeverisë. Projektligji “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës” synon kufizimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës nga 65 vjeç në 60 vjeç dhe vjetërsi në punë nga 35 vjet deri në 30 vjet, nga të cilat 15 vjet punë, duhet të jenë kryer në nëntokë. Nga miratimi i këtij projektligji do të përfitojnë 3 mijë persona, ndërsa efektet financiare do të përballohen nga buxheti i shtetit në masën 300 milion  lekë në vit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›