Obama: Pres me padurim të bashkëpunoj me kryeministrin Berisha

Kryetari i superfuqisë së vetme në botë – presidenti i SHBA - Presidenti Obama uron kryeministrin Berisha për rizgjedhjen e tij si kryeministër i Shqipërisë, duke e siguruar se do të bashkëpunojë ngushtësisht për promovimin e lirisë dhe të mirëqenies në botë. Bashkëpunimi dypalësh do të jetë në epiqendër të marrëdhënieve mes administratave gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm
Presidenti i SHBA-ve Barak Obama, uron kryeministrin Sali Berisha, me rastin e rikonfirmimit në krye të qeverisë. Presidenti i vendit më të fuqishëm në botë, i përcjell kryeministrit shqiptar përgëzimet më të sinqerta dhe uron në një bashkëpunim tejet konstruktiv gjatë viteve në vijim. Obama, në emër të SHBA-ve, vlerëson kontributin e Shqipërisë në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në botë.
“I dashur Kryeministër, ju lutem pranoni përgëzimet e mia për rikonfirmimin e mandatit tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën. Për mua ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës në samitin e Strasburg-Kehlit, në fillim të këtij viti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë”, thuhet në mesazhin e presidentit Obama.
Ai thekson se SHBA-të janë të interesuara për zhvillimin e bashkëpunimit dhe për forcimin e lidhjeve miqësore me Shqipërinë.
“Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat Euroatlantike të vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t’i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona”, nënvizon Obama në urimin e tij.
Presidenti i SHBA-ve, mbyll urimin e tij, duke i uruar kabinetit dhe kryeministrit Berisha, sukses të plotë në mandatin e ri qeverisës.
Urimin e Presidentit Obama, e dorëzoi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John L. Withers II, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Berisha.
...