E Diel, 1 Nëntor 2026

Himara e Petro Markos

"Askush nuk mund të hedhë parulla antishqiptare!",- thirri opozita, si dikush që e zgjojnë nga gjumi me të shkundura. Avokati ishte në formë fenomenale në podiumin e Kuvendit, kur "i bëri zbor" Bollanos. Të gjithë duartrokitën si vëllezër të prekur në sedër. Top-Channel e mbylli kronikën me sekuencën e valëvitjes së një flamuri kuqezi. Të reagojë Qeveria, të ngrihet nga koma Presidenti! U ndez shashka e radhës. Qeveria u përfshi nëpërmjet Ministrit të Punëve Publike, Z.Kosta Barka, që tha për mediat se fajin e kishte policia. Duket ka qenë një moskeqkuptim! U morëm vesh që s'po merremi vesh.

Po ku qëndron realisht problemi me Himarën?

Them se në masa të ndryshme, problemi i Himarës qëndron tek ne të gjithë, sepse kjo çështja e Vasil Bollanos po bëhet gjithmonë e më tepër si ajo fabula e atij budallait që hedh një gur në lumë. Vasili dhe të tijët po na bëhen sikur janë Himara, kjo është gafa jonë. Tani t'i thërrasim mendjes, Himara është ajo e Vasil Bollanos, apo ajo e Petro Markos, sepse të dyja nuk mund të jetë? Sa për veten time, në këtë botë dhe tjetrën, unë i besoj Petros. Të tjerat janë lojëra shejtan-budallenjsh. Shumë faj kanë mediat që e morën këtë histori dhe e ngritën në kupë të qiellit. Iu dha e tillë vëmendje e u përcoll i tillë afsh patriotik në mbulimin e këtij lajmi në televizion, sa të jepej përshtypja se në Himarë kishte plasur lufta. Pastaj, faj ka dhe opozita, që ndërsehet "për sport" me Himarën, kur Himara nga politika është bërë prej kohësh si të hollat e kusurit që kalojnë me bezdi nga njëri xhep në tjetrin. Këto ditë e kam ndjerë veten jashtë këtij zelli për t'u zemëruar e fyer nga kërkesat e një grupi që nuk përfaqëson kërrkënd dhe as kam nge të bezdisem tej mase nga një kryetar Bashkize si Z.Bollano dhe çeta e tij.

***

"Kanë kërkuar autonomi!"- pikë e zezë!- "Krahina Autonome e Himarës" me përbërje tërësisht shqiptare. Në vitin 1996 kam qenë duke pushuar në Dhërmi, kur me ca dhërmijotë aty po shikonim Pirro Dhimën në Olimpiadën e Atlantës. Ata flasin greqisht tërë kohës (edhe Islami që ishte i ardhur nga Tropoja gjatë diktaturës) unë i kuptoj vetëm kur më flasin shqip. Ata janë entuziastë, unë jo dhe aq, më tepër jam i inatosur me uniformën blu të Pirros. Pirro Dhima thyen rekordin, dhërmijotët bëjnë urra gëzimi. Pastaj ai thotë diçka për kamerat, diçka greqisht që s'e kuptoj, diçka në ajrin e Jonit u thye dhe dhërmijotët ngrysen, duket që po e shajnë, janë vrenjtur, pështyjnë përdhe. Pyes dhe marr vesh që ka thënë "Ja tin Eladha" (për Greqinë) dhe kaq mjaftoi t'i fyente shqiptarizmën dhërmijotëve që ishin aty atë natë. Ta shikoje këtë skenë, që zhvillohej e gjitha në greqisht, ishte diçka surreale. Unë nuk kisha pritur kurrë që të reagonin ashtu. Me mendjen time kisha paragjykuar që përderisa flasin greqisht, nuk e duan aq shumë Shqipërinë, dhe "isha thelluar" në thelb të problemit, përderisa nuk dëshirojnë të flasin shqip, nuk dëshirojnë të jenë shqiptarë, dhe përfundimisht, përderisa nuk duan të jenë shqiptarë - "Harram!", nuk janë të tillë. Por atë natë kuptova se nuk kisha kuptuar asgjë. Nuk i kuptoja dot dhërmijotët, me greqishten e tyre arkaike, ashtu sikundër shumë nga ne sot nuk i kuptojmë himarjotët.

Se çfarë ndodhi atë natë midis banorëve dhe policisë në Himarë, askush nuk di ta thotë me siguri, shumica e atyre që ndihen të zemëruar, ndihen kështu jo dhe aq nga ngjarja si e tillë, por nga ngarkesa emocionale që mbart çështja e Himarës, ngarkesë që për shumë arsye më duket e ekzagjeruar dhe një rënie në grackë - duke bërë në këtë mënyrë lojën e atyre rretheve që vërtetë duan të ndezin konflikte artificiale në Himarë, duke e kthyer një mosçështje në një çështje. Kemi faj, disa më shumë se të tjerë, kemi faj sepse ndjekim gurin e budallait dhe hidhemi të gjithë në lumë.

***

Imagjinoni për një moment sikur Bashkia bregdetare e Shëngjinit "shpërthen" papritur dhe ngjarjet rrjedhin pik' për pikë si në Himarë - pleksen, zihen dhe "Shëngjini kërkon autonomi". Meqë thuhet që himarjotët kënduan himnin grek, shëngjinasit kënduan himnin holandez, valëvitën flamuj të Holandës dhe për të treguar mosbindje civile si holandezët, tymosën hashash shqiptar. Le të themi për një moment që në Shëngjin, një pjesë pretendojnë se populli i krahinës janë me origjinë nga një fshat afër Rrotterdamit, këta thirrën "jashtë Shqiptarët nga Shëngjini". U kërkoj ndjesë atyre që janë nga Shëngjini, qëllimi im është të ilustroj sesa qesharake është ajo situatë në Himarë, kur e nxjerr nga konteksti i ngarkuar nacionalist. Faktori i vetëm që ndryshon midis asaj dhe trillimit është që "faktorin Grek" e zëvendësuam me "faktorin Holandez" dhe aq mjaftoi për ta parë ndodhinë si një karagjozllëk. Pra, më e rëndësishme se çfarë ndodhi, është si e perceptojmë. Greqinë tradicionalisht e perceptojmë si grabitqare, Holanda është atje tutje, simpatike dhe neutrale - në këtë perceptim bazohet gjysma e reagimit ndaj ngjarjes.

Të tilla janë veprimet e herëpashershme të Kryetarit të Bashkisë së Himarës, z.Bollano. I mbështetur nga politika disa herë për t'u vënë në krye të Himarës, ky nuk është vetëm se një Xhuvel në nivel të pushtetit vendor. Një produkt i pazareve politike midis PD dhe PS, Bollano përfaqëson mbijetuesin e rëndomtë që arrin habitshëm të përfitojë nga zelli i tepërt i mediave për t'u marrë me të. Papritur të gjithë po flasin për Bollanon, më në fund, në këtë moshë disi të kaluar, Vasilit i ndriti fati. Nga një Vasil, kthehet në "Zërin e minoritetit të fuqishëm grek në Himarë", dhe herë pas here lëshon ndonjë kokërr idiotësi lart e poshtë, duke shkulur tabela e duke kënduar himne. Ai e ka kuptuar se mund të irritojë me komandë shqiptarët, ai e di se, për gallatë apo për diversion, kontrollon vëmendjen e Opinionit Publik, me nder e di, që një pordhë e tij në Himarë tund gjithë Shqipërinë. Kjo për mendimin tim është për të ardhur keq, sepse duket sikur jemi pre e një mentaliteti turme - që kur përzihet me nacionalizëm dhe mediatizim të skajshëm, shkakton tension të lartë dhe dhimbje koke.

***

Politika shqiptare, si opozita që "turfullon" me gjoja, ashtu dhe Qeveria që hesht dhe buzëqesh me dhëmbët e nxirë nga tymi i Gërdecit, janë përgjegjëse për këto ndodhi të pakëndshme. Shumëkush, me të drejtë do të thoshte - të mos e kërkojmë gjithmonë fajin tek politika - por të nderuar, z.Bollano është një produkt politik. Është për shkak të mbështetjes nga Tirana që ai fiton zgjedhjet, - andaj kur themi që politika shkakton Bollanon, nuk është klishe. Bëmat e tij, përveçse që "t'u prishin gjakun Shqiptarëve" kanë edhe efekte të tjera. Përsëritja e këtij konflikti kronik me Bollanon krijon përshtypjen (PËRSHTYPJET JANË REALITETI) se ekziston vërtetë një sherr midis Shqipërisë dhe Himarës. Dinamika Shqipëria vs.Himara që sendërtohet prej këtyre përshtypjeve artificiale është e dëmshme. Mosnjohja e moskuptimi i himarjotëve nga opinioni shqiptar bie kështu pre e dëmeve që shkakton etja për pushtet e klasës politike që nuk merret realisht, por vetëm mediatikisht, me çështjen e Himarës, dhe që realisht ka lejuar që emri i saj të përdoret për të fabrikuar argumente për klikat shoviniste.

Dhe ngaqë herë pas here politikës së Tiranës dhe pronarëve të tyre u duhet një gjullurdi "për të ndërruar muhabet" e përdorin Himarën si bombë me tym. Në vend që të merremi me çështje reale (si Çamëria p.sh.), humbasim energjinë dhe kohën me diversione të lodhura. Politika jonë, e ka shitur, e ka tradhtuar ajo Himarën e para. Ne kemi patur dhe vazhdojmë të kemi të tillë shtetarë, që nuk kanë as frymëzimin e as largpamësinë as të flasin me popullin shqiptar himarjot. Nuk kanë as mençurinë për ta trajtuar si duhet, prandaj zgjedhin të "kryqëzojnë" Bollanon nëpër media, se kështu fshehin pazotësinë e tyre. Mungesën e përkushtimit e mbulojnë me përdëllim kallp. Dhe ne oburra!!!

Një zgjidhje për problemin nuk e kam, sepse insektet do vazhdojnë me të tyret, por po shtroj një drejtim që ndoshta çon tek zgjidhja, si fillim: të mos hidhemi të gjithë në lumë pas gurit të budallait. Të paktën jo të gjithë njëherësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›