PD-PS rrëzojnë Presidentin nga populli
Komisioni i Ligjeve kalon në parim një pjesë të ndryshimeve kushtetuese. Vijojnë bisedimet
Zgjedhja e Presidentit nga Populli, PD e PS kundër
TIRANË- Bie varianti i zgjedhjes së Presidentit nga populli. PD dhe PS kanë votuar dje në parim, me votën kundër të deputetëve mbështetës të Presidentit Bamir Topi, propozimin që kreu i shtetit të zgjidhet përsëri nëpërmjet procedurave parlamentare, por pa mundur të përcaktojnë raundet dhe shumicën e votave të kërkuara për çdo raund. Ndërkohë shumica e neneve të propozuara megjithëse kanë kaluar në parim, është vendosur që të rishihen dhe një herë nga relatorët përkatës për të sjellë një draft përfundimtar në Kuvend.
Mbledhja
Seanca e djeshme e komisionit të ligjeve ka rinisur me kundërshtimin e përfaqësuesve të partive të vogla për ndryshimin e Kushtetutës, por pa rezultat. Më pas komisioni ka hyrë në diskutimin e amendamenteve konkrete duke iu rikthyer edhe një herë nenit 65 të Kushtetutës, që ka të bëj me mandatin e Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë nënkryetari socialistë i komisionit Fatmir Xhafaj ai që ka kërkuar rishikimin e formulimit të pikës 3 të këtij neni, pasi, sipas tij, mënyra sesi është hartuar aktualisht nuk përcakton qartë se kur mbaron mandati i Kuvendit, si dhe lë hapësira për ta zgjatur atë në raste të veçanta. Pavarësisht këtyre vërejtjeve, komisioni me votën kundër të deputetit të PBDNJ-së, Spiro Peçi, e ka kaluar këtë nen parimisht me kushtin që dy relatorët të bëjnë riformulimin e duhur.
Presidenti
Më pas debati është përqendruar pikërisht tek propozimi për të ndryshuar nenin 87 të Kushtetutës, i cili ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit. Për këtë pikë, socialistët në mbledhje mbajtën një qëndrim gati të kundërt nga ai i bërë publik dy ditë më parë pas mbledhjes së kryesisë, duke hequr dorë nga varianti i zgjedhjes së presidentit nga populli dhe duke propozuar që ai të zgjidhet me 3/5 në 3 raundet e para dhe me 50 plus 1 për qind të votave të kuvendit në dy raundet e tjera. Në diskutimin e kësaj pike janë shfaqur hapur dhe qëndrimet e kundërta të dy fraksioneve në PD. Kështu, ndryshe nga qëndrimi i linjës zyrtare të grupit të PD-së për ta zgjedhur kreun e shtetit në dy raundet e para me 3/5 e votave dhe në raundin e 3 me shumicë të thjeshtë, deputetët e cilësuar si mbështetës të Presidentit të Republikës, Pal Dajçi, Sali Shehu dhe Dashamir Sula kanë kërkuar që të sanksionojnë në Kushtetutë që presidenti të zgjidhet ose me 3/5 në 5 raunde, pra si varianti ekzistues, ose të zgjidhet sipas praktikës 2 raundet e para me 3/5 dhe raundi i tretë më votim nga populli. "Kjo është një tallje që bëhet. Modeli që ju propozoni nuk është gjerman, por gjermano-spanjollo-grek. Unë këmbëngul se zgjedhja e presidentit nga populli do të ishte një zgjidhje që do të shmangte çdo krizë dhe do të krijonte mundësinë që të zgjidheshin njerëzit më të mirë. Unë e deklaroj se jam kundër nenit 87", - u shpreh deputeti Sali Shehu. Të njëjtën gjë kanë deklaruar pas tij dhe deputetët Pal Dajçi dhe Dash Sula, të cilët kanë theksuar se zgjedhja e presidentit me shumicë të thjeshtë do të krijonte një president të dobët institucionalisht dhe tepër të lehtë për tu rrëzuar. "Unë nuk e kuptoj pse gjithë kjo ngutje për të bërë këtë ndryshim, i cili realisht krijon kushtet që ndonjë sekretar të bëhet president republike. Unë jam për variantin ekzistues në kushtetutë ose nga populli, në të kundër deklaroj votën time kundër", - u shpreh deputeti Pal Dajçi. Po qëndrim të kundërt ka mbajtur kryetari i komisionit të ligjeve, Fatos Beja, i cili njihet si mbështetës i kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas Bejës, propozimi i bërë në draft i jep fund rrezikut të krizave politike në zgjedhjen e presidentit. Më pas ai e ka hedhur propozimin për ndryshimin e nenit 87 në votim, duke miratuar me votën kundër të Dajçit, Shehut, Sulës dhe Peçit, por me kushtin që të rishihet dhe një herë nga relatorët.
Mocioni
Mocioni i besimit ndaj kabinetit qeveritar dhe i mosbesimit ndaj kryeministrit ishin dy çështjet e tjera që sollën jo pak debate në komisionin e ligjeve. Relatorët e kësaj pakete propozimesh nuk kanë arritur që të japin shpjegime pyetjes së deputetit socialistë Elmaz Sherifi në lidhje përcaktimin si të drejtë të kryeministrit që të kërkoj presidentit shpërndarjen e parlamentit në rastin e parë dhe shoqërimi i kërkesës së mosbesimit në rastin e dyte me kandidaturën për kryeministër. Në mungesë të një sqarimi nga relatorët, ish-ministri I Drejtësisë Ilir Rusmali është përpjekur të japë disa shpjegime, duke theksuar në rastin e nenit 104 është vendosur përcaktimi që kërkesa për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit të shoqërohet me kandidaturë për të mos krijuar vakum institucional në rast se ky mocion miratohet. Pavarësisht dy nenet janë lënë që të rishihen dhe një herë. Ndërkohë që edhe për nenin 149, që ka të bëjë me mandatin e kryeprokurorit palët nuk kanë rënë dakord, pavarësisht se e kanë votuar parimisht dhe me votën abstenim të disa prej deputetëve të opozitës. Për të vetmen pikë për të cilën komisioni i ligjeve ka rënë dakord ka qenë ai për shfuqizimin e pjesës 12 të Kushtetutës për KQZ-në.
Vijojnë negociatat edhe sot mes partive aleate dhe Berishës. Deri mbrëmë asnjë zgjidhje konkrete.
Takimi, dështon tryeza e aleatëve me Berishën
TIRANË- Dështon tryeza e partive aleate me kryeministrin Sali Berisha. Vetëm 24 orë pasi grupi i ekspertëve të partive aleate me PD-në nuk nxori asgjë në drite, drejtuesit e të vegjëlve janë mbledhur sërish mbrëmë në kryeministri. Takimi mes tyre ka zgjatur më shumë nga çfarë ishte parashikuar, por ajo që drejtuesit e partive aleate nuk kishin menduar pas negociatave të gjata dhe të vështira, ishte se as takimi dhe as paralajmërimet e tyre nuk gjetën ndonjë zgjidhje konkrete lidhur me sistemin proporcional rajonal. Madje drejtuesit e partive aleate nuk janë ndjerë aspak mire teksa në momentin që përpiqeshin të bindnin Berishën për gjetjen e një zgjidhjeje, komisioni i ligjeve, që po zhvillonte një mbledhje maratonë vetëm një godinë larg kryeministrisë, miratoi sërish pa diskutime sistemin proporcional rajonal, aq të kontestuar nga partitë e vogla.Kreu i PDK-së Nard Ndoka dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu kanë kërkuar përfaqësim të partive të tyre nëpër qarqet kryesore të vendit, madje duke kërkuar zona të sigurta ne disa prej tyre, gjë që në fakt nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kryeministri Sali Berisha. Si rrallë herë, asnjë prej drejtuesve të partive aleate që morën pjesë në takimin e mbrëmshëm nuk pranuan të bënin asnjë koment për mediat. Madje pa kaluar mirë pragun e kryeministrisë, ata kanë fikur edhe telefonat. Por, burime të rezervuara pranë PD-së thanë mbrëmë për gazetën se takimi nuk ka shkuar sipas parashikimeve të partive aleate, ndaj dhe sot pritet të vijojnë negociatat, kësaj here në nivel ekspertësh. I pari që ka lënë tryezën,ka qenë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili menjëherë pas takimit ka mbledhur kryesinë e vogël të partisë që ai drejton, në selinë e PBDNJ-së. Burimet nga PD cituan se Dule mësohet të ketë kërkuar një numër të caktuar votash në Kuvend në bazë të numrit të përgjithshëm të minoritetit. Pra Vangjel Dule, biseda e të cilit me kryeministrin Sali Berisha ka zgjatur shumë pak, ka kërkuar që PBDNJ të ketë kuota të veçanta në Kuvend. Por kreu i ekzekutivit as për këtë kërkesë nuk ka dhënë përgjigje. Këtë gjë kryeministri nuk e ka bërë për asnjë prej propozimeve që drejtuesit e partive aleate paraqitën në takim, duke sjellë në këtë mënyrë një debat jo shumë të vogël, por edhe pakënaqësi në radhët e këtyre të fundit.
Pal Dajçi, Sali Shehu dhe Dashnor Sula zhvilluan mbrëmë një takim me kryeministrin Berisha
Mbështetësit e Topit, takim në mesnatë me Berishën
TIRANË- Menjëherë pasi komisioni i ligjeve ka rrëzuar variantin e zgjedhjes së Presidentit nga populli mandatin e ardhshëm, kryeministri Sali Berisha, sapo ka përfunduar takimin me aleatët, ka mbledhur në kryeministri një tjetër përfaqësi të pakënaqurish. Ai ka thirrur mbrëmë në një takim urgjent tre deputetët të cilët votuan kundër variantit të miratuar nga PD e PS për zgjedhjen e Presidentit në komisionin eLigjeve, konkretisht deputetët Pal Dajçi, Dashnor Sula, Sali Shehu të cilët gjatë mbledhjes së komisionit të ligjeve votuan hapur, duke argumentuar votën e tyre kundërvariantit që presidenti i Republikës të zgjidhej nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash. Të tre deputetët kanë argumentuar se nuk mund te zgjidhet një President më shumicë të thjeshtë në rast se nuk arrihet kuorumi tre raundet e para, duke mbështetur tezën e hedhur prej ditësh, se në rast të mos zgjidhjes së Presidentit nga Kuvendi, raundin e fundit, ai të zgjidhej nga populli. Për këtë arsye, pas mbledhjes së komisionit të ligjeve, deputetët janë futur në kryeministri për të zhvilluar një takim me kryeministrin Sali Berisha. Takimi mes tyre dhe kreut të ekzekutivit ka zgjatur gjatë, ndërsa nuk kanë preferuar të bëjnë asnjë koment pas përfundimit të saj. Pro idesë së zgjedhjes së Presidentit nga populli janë shprehur edhe disa deputetë të tjerë të Partisë Demokratike si Aleksandër Biberaj,Bujar Leskaj etj.
Firmat e aleatëve plotësojnë numrin e duhur prej 28 deputetësh
Firmëtarët, mungojnë përkrahësit e Topit
TIRANË- Paketa e amedimeve kushtetuese "Trashani" ka nxjerrë në pah grupet që rivalizojnë për dominim në qeverisje dhe Partinë Demokratike. Përveç dallimeve të shfaqura hapur dje gjatë diskutimit të këtyre amendamenteve në komisionin e Ligjeve, kjo ndarje është vënë re dhe në mbështetjen me firma që deputetët e mazhorancës i kanë dhënë kësaj pakete. Në listën e 30 firmëtarëve të djathtë bie në sy mungesa e firmave të atyre deputetëve që gjatë kohëve të fundit janë shfaqur shpesh në takimet me Presidentin e Republikës Bamir Topi, duke u cilësuar nga media dhe opinioni publikë si mbështetës të tij. Listës i mungojnë emra të njohur si mbështetës të presidentit brenda grupit parlamentar demokrat, si Pal Dajçi, Sali Shehu, Dashnor Sula, Bujar Leskaj, Gazmend Oketa, Baki Shehu etj. Sipas burimeve, pranë këtij grupi bëhet e ditur se mungesa e firmave të tyre në këtë paketë propozimesh ka ardhur, pasi ata e kanë vlerësuar atë si të panevojshme dhe tendencioze në aspektin e kufizimit të kompetencave të Presidentit të Republikës. Por kjo duket se ka sjellë jo pak probleme për nismëtarët e këtyre amendamenteve, të cilët janë përpjekur të gjejnë firmat e duhura tek aleatët e vet, të cilët më së fundi duket se janë bindur të mbështesin amendimin e kushtetutës. Kështu, listës së firmëtarëve përveç emrave të njohur të PD-së, si Astrit Patozi, Ilir Bano, Aldo Bumçi, Leonard Demi, Ilir Rusmali, Ridvan Bode, etje i janë bashkangjitur dhe deputetët aleatë Galip Ramadhi dhe Albert Faruku i PR-së, Pashk Ujka i PDK-së, Nikoll Lesi LDK-së dhe Petrit Gjoni i PAA-së.
Firmëtarët
Fatos Hoxha
Astrit Patozi
Safet Sula
Gjovalin Prenga
Mehmet Hoxha
Flori Bajramaj
Ilir Rusmali
Ramiz Çcobaj
Arenca Trashani
Parid Teferiçi
Galip Ramadhi
Eris Hoxha
Gjokë Vuksani
Ilir Bano
Ferdinand Xhaferri
Leonard Demi
Mehmet Xheka
Aldo Bumçi
Albert Faruku
Genc Juka
Genc Sharku
PashkUjka
Luan Skuqi
Nikollë Lesi
Fatos Beja
Bujar Nishani
Jemin Gjana
Petrit Gjoni
Ridvan Bode
Astrit Bushati