Himara në kumarin Athinë-Tiranë
Problematika himariote do të karakterizohej si shumë e lashtë, për një shtet që nuk ka mbushur ende 100 vjet. Ky qytet e ka kthyer në jetë të dytë kundërshtimin ndaj flamurit të imponuar prej pashallarëve, pavarësisht nëse këto i kanë sarajet në Stamboll apo në Tiranë. Nën vështrim të parë, duket sikur përqasja e Himarës për t'u mbështetur tek Athina është zgjedhja e duhur për të përfituar një status të privilegjuar. Në të vërtetë, përpjekjet që bën Himara janë tepër naive dhe të destinuara të dështojnë. Duke ftuar një aktor të tretë në lojë, shtetin grek, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse i ulin ndjeshëm gjasat për statusin e të privilegjuarit. Kjo për shkakun e thjeshtë se një qytet është shumë më inferior ndaj lojës së dy shteteve.
Himara ka kërkuar të jetë më vete edhe në të kaluarën. Të njëjtën gjë kërkon edhe sot. Mirëpo, duke tundur flamurin grek, himariotët do ta kenë të vështirë të fitojnë mbi interesat e qeverive shqiptare dhe greke. Perspektiva europiane e Shqipërisë sjell përgjegjësi kontraktuale me të forta për mbrojtjen e minoriteteve etnike, gjuhësore e kulturore. Si rrjedhojë, hapësirat në të cilat qeveritë e Athinës mund të kërkojnë një status special për Himarën, ngushtohen ndjeshëm. Këtë e la të kuptohet edhe zëvendësministri i Jashtëm Grek, kur ai vizitoi Himarën.
Por problemi himariot vjen si një gur i çmuar për qeverinë shqiptare dhe greke. Ai shfaqet, ose të dy qeveritë kanë dëshire ta shfaqin, në kohën kur duhet të zgjidhet edhe problemi Çam. Athinës do t'i duhet të heqë dekretin mbretëror të vitit 1941 mbi sekuestron e pronave ndaj shtetasve të vendeve armike. Ndërsa Tiranës do t'i kërkojë që Himara të njihet zonë minoriteti. Pra, gjasat më të mëdha janë që himariotët të kthehen në një kusur të Tiranës në pazarin për Çamërinë. Dhe këtë himariotët nuk duhet ta harrojnë. Fitimi i statusit "minoritar" nuk ka për t'i ndritur asgjë Himarës në kërkesën e tyre për status autonom. Një status i tillë do duhej t'i jepej edhe Çamërisë, mision vetëvrasës ky për çdo qeveri të Athinës. Edhe në rastin e një allishverishi të tillë, Bashkimi Evropian, që e sheh Ballkanin si delen e vet të zezë, nuk ka gjasa të jetë aprovues i politikave të korruptuara të Athinës dhe Tiranës, të cilat gjithnjë e më shumë u drejtohen manipulimit të votuesve sesa kohezionit evropian.
Interesat e Tiranës për Himarën, janë thuajse zero: pesë vota më pak, nuk i prishin punë kolltukut të asnjë qeverie. Ndërsa për Athinën, pesë votat e Himarës, janë gënjeshtra vorio-epirote e radhës për manipulimin e votuesve grekë. Himara është për Athinën, shpëtimi i fytyrës prej anulimit të pritshëm të dekretit mbretëror, veprim ky që do të zgjidhte të gjitha pengesat ligjore të problematikës Çame. Koha do tregojë se si do rrjedhin ujërat. Por çfarëdo që të ndodhë, himariotët do ta kuptojnë se e kanë të humbur davanë në kumarin epirot: pashallarët e Tiranës janë më mashtrues se ata të Stambollit, ndërsa orthodhoksët e Athinës më të korruptuar se asnjëherë më parë.
*Profesor i Asociuar në Universitetin e Tiranës