E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë, banorët pengojnë punimet e autostradës

27/03/2009  Kalon mbi pronat e tyre. Shoqërohen në polici 4 protestues, kundërshtuan policinë

VLORE- Një konflikt i filluar dy ditë më parë ka vazhduar dhe ditën e djeshme në zonën e plazhit të Potamit, ku po punon firma “Alb-Star” për ndërtimin e rrugës nacionale Dhërmi–Sarandë, e konkretisht aksi rrugor që përshkon plazhin e Potamit. Banorët e zonës kanë kundërshtuar edhe dje me protesta punimet e firmës dhe nuk kanë lejuar që asnjë makineri të vijojë normalisht punën. Pasi kanë parë bllokimin e punimeve kanë qenë drejtues të “Alb-Star”, që kanë njoftuar policinë e rendit, e cila, edhe pse ka mbërritur në vendngjarje, nuk ka mundur të sheshojë tërësisht konfliktin në mënyrë paqësore. Ka qenë ndërhyrja e efektivëve të FNSH-së, të cilët janë nisur në orët e mesnatës së kaluar në drejtim të Himarës. Ata u kanë kërkuar banorëve në rrugë paqësore të lejonin punonjësit të vazhdojnë punën për ndërtimin e rrugës, por banorët nuk kanë rënë dakord. Më pas forcat e rendit kanë qenë të detyruara të ndërhyjnë për të larguar rreth 20 banorë, madje 4 prej tyre janë shoqëruar për në komisariatin e Sarandës si organizatorë të protestës. Më pas është bërë e mundur që konflikti të shuhet e firma të vijojë normalisht punimet rreth mesditës.

Protesta

Banorët nuk kanë lejuar firmën të kryejë punimet, sepse nuk duan që autostrada të kalojë në pronat e tyre të ligjshme, ndërsa të shoqëruarit nga policia janë dërguar në komisariatin e Sarandës. Policia nuk bën të ditur identitet e plota të të shoqëruarve, pasi ndaj tyre ende nuk është marrë asnjë masë. Gjithsesi, burime nga policia bëjnë me dije se këta persona kanë penguar punën e firmës që po punon për shtrimin e rrugës e njëkohësisht kanë kundërshtuar uniformat blu. Po sipas policisë, banorët janë qartësuar prej kohësh për projektin e ndërtimit të autostradës dhe kanë rënë dakord, por me sa duket kanë ndërruar mendim kur puna ka filluar në zonën që preken pronat e tyre në zgjerimin e autostradës.

Ngadalësia e privatizimeve nga ish-të përndjekurit

Braktisin mbledhjen këshilltarët demokratë

FIER- Dështon mbledhja e këshillit bashkiak në Fier. Pas largimit të disa këshilltarëve demokratë në sallën e Bashkisë kanë mbetur vetëm 16 këshilltarë, kështu që nuk sigurohej numri i nevojshëm për zhvillimin e kësaj mbledhjeje. Largimi i këshilltarëve ka ardhur pas deklarimit të kreut të grupit këshilltar të partisë Ballit Kombëtar Arben Nazëraj, i cili ka shprehur indinjatën për moszbatimin e vendimit të qeverisë për privatizimin nga 42 familje të përndjekura nga sistemi komunist të godinës së ish-konviktit të shkollës së mesme industriale. Pas leximit të kësaj deklarate, ku shprehej pakënaqësia për zvarritjen e privatizimit të kësaj godine dhe nivelit të ulët të jetesës së këtyre familjeve të persekutuara nga çdo regjim, këshilltarët e spektrit të djathtë janë larguar nga salla, duke lënë pezull një varg çështjesh të tjera. Në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak ishin parashikuar edhe miratimi i ndihmës ekonomike për familjet e varfra dhe zgjidhja e problemit të tregut industrial dhe vendimi përfundimtar i ekzekutivit.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›