E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohet shefi i policisë bashkiake

27/03/2009  Prangoset në mes të qytetit Rexhep Bulku dhe një vartës i tij. Shoqërohen dhe 2 zyrtarë të tjerë

Akuza për korrupsion pasiv gjatë kryerjes së detyrës. Hetime kryesisht për ndërtimet

DURRES- Forca speciale të antikorrupsionit në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë arrestuar dje në mesditë katër funksionarë lokal në Durrës, dy prej të cilëve në mënyrë spektakolare në mes të qytetarëve. Shefi i policisë bashkiak,e Rexhep Bulku, ish-shef i komisariatit të policisë së qytetit të Durrësit është vënë në pranga së bashku me vartësin e tij, punonjësin e policisë Bashkim Maloku. Në të njëjtën kohë për shkaqe ende të paqarta dhe të padeklaruara nga burimet policore në Durrës është vënë në pranga dhe shoqëruar në dhomat e paraburgimit kryetari i njësisë numër 4 Luan Shaba dhe inspektori i tij Lutfi S. Dervishi. Katër arrestimet janë kryer në të njëjtën kohë dhe kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Arrestimi spektakolar

Shefi i Policisë Bashkiake të Durrësit, Rexhep Bulku, dhe inspektori Bashkim Maloku janë përballur dje në mesditë me efektivat e antikorrupsionit në afërsi të tregut fshatar. Persona me pistoletë në dorë dhe me fytyrë të maskuar kanë dalë nga dy automjete dhe në pak sekonda kanë vënë në pranga të dy personat e bërë objekt operacioni. Efektivat e Tiranës kanë qenë në dy mjete dhe ata kanë pritur kohën kur Bulku e Maloku janë afruar pranë-njëri-tjetrit për t’i arrestuar në të njëjtin çast dhe sapo automjetet janë afruar tek këmbët e tyre efektivat e Tiranës janë lëshuar mbi të dy personat në prani të dhjetëra qytetarëve të rrugës së tregut. Fare pranë tyre ka qenë edhe nënkryetari i bashkisë A. Çela, i cili nuk ka mundur të reagojë e as të prezantohet për të mësuar rreth shkakut të prangosjes. E tërë kjo skenë thuhet se është realizuar në gati 23 minuta, ndërkohë që forcat e specializuara për raste të tilla arrestimesh kanë mundur të izolojnë tendencën e policit Bashkim Maloku për të reaguar në kërkim të shpjegimeve. Njëherësh mësohet se është arrestuar edhe Luan Shaba, kryetar i njësisë numër 4 të qytetit të Durrësit dhe inspektori Lutfi S. Dervishi. Për këtë operacion të organizuar në dy drejtime janë aktivizuar disa efektiva, ndërkohë që Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vënë në dijeni vetëm kryekomisar Arben Frashërin, zëvendësdrejtor policie në Durrës. Pohime jozyrtare thonë se arrestimi i të katër personave është bërë për shkak të akuzuarve për korrupsion. Të njëjtat efektiva mësohet se kanë ushtruar kontroll edhe në një automjet në afërsi të Mauzoleumit, mjet i cili thuhet se i përket njërit nga personat e akuzuar. Një arrestim i tillë ka ndodhur në çastet e prangosjes së kryetarit të komunës së Golemit Demir Lika.

Nëntë muaj më parë

Rexhep Bulku u ndalua për dhunë

Më datë 17 qershor 2008 Policia e Rendit dhe forcat e gatshme të policisë së Durrësit janë detyruar të ndalojnë me mes të rrugës shefin e Policisë Bashkiake Rexhep Bulku dhe 3 efektiva të policisë që ai drejton. Shkak për këtë ngjarje janë bërë telefonatat e qytetarëve në sallën operative, të cilat kanë vënë në dijeni se një shofer minibusi ishte vënë poshtë dhe po rrihej nga punonjës të Policisë Bashkiake. Telefonata ka mjaftuar për të shkuar në drejtim të Urës së Dajlanit, ku edhe ishte bllokuar minibusi DR 0366 D me drejtues shtetasin Fatmir Zakova. Mosbindja nga ana e Policisë Bashkiake ka shtyrë efektivat e Policisë së Rendit dhe të trupit të gatshëm të arrestojnë Rexhep Bulkun dhe inspektorët Denis Omero, Bashkim Maloku dhe Ndriçim Dervishi. Katër të arrestuarit kanë dalë para gjykatës dhe tre ditë më pas janë lënë në hetim në gjendje të lirë. Shefi i Policisë Bashkiake Bulku dhe vartësi i tij Maloku janë rikthyer në dhomat e ndalimit dje për të dytën herë në 9 muajt e fundit.

OPERACIONI “BATICA”

Për muaj të tërë struktura speciale të policisë përmes vënies në punë të aparaturave dhe teknikave të kualifikuara dhe të sofistikuara kanë përgjuar veprimet e shefit të Policisë Bashkiake dhe të të ndaluarve të tjerë. Operacioni është koduar “BATICA” dhe është përmbyllur pikërisht në kohën kur shefi i Policisë Bashkiake po prishte disa objekte të cilësuara pa leje.

AKUZAT

Akuza për të katër të arrestuarit është ajo e “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” si dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë”. Janë vërtetuar veprime që bien në kundërshtim me ligjin. Presionet sipas të dhënave që vinë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, ushtroheshin nga Bulku, Shaba dhe vartësit e tyre duke përdorë sekserin Fetah Mataj.

ABUZIMET

Të katër të prangosurit akuzohen për moslejimin e ndërtimeve pa leje, prishjen e ndërtimeve pa leje dhe mbylljen e aktiviteteve pa licencë. Gjatë kontrollit të ushtruar në zyra dhe banesat e të ndaluarve u sekuestruan dokumente që vërtetojnë veprimtarinë korruptive, të cilat iu bashkëngjiten dosjes hetimore për të ndaluarit e djeshëm.

DYSHIMET

Vetëm tre ditë më parë kreu i degës së Tatimeve e Taksave në Durrës, Ilir Mandi, pati deklaruar se një pjesë e bizneseve po spekulonin lidhur me mbylljen e aktivitetit të tyre. Janë plot 62 dosje të bizneseve, të cilat dyshohet të kenë mbyllur aktivitet jo si pasojë e falimentimit, por e spekulimeve pasi dyshohet se këto subjekte kanë mundur të komprometojnë inspektorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›