E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarjotët nuk do lejojnë grabitjen e pronave

Nikollaq Neranxi 

Para një viti deklarova në parlamentin shqiptar, se pronat e Himarës i ka vënë në shenjë dhe po i certifikon mafia. Dhe hataja ndodhi vërtet. Domethënë, grabitja. Më 15 korrik të këtij viti, qeveria e Sali Berishës mori vendimin “për zbatimin e një projekti turistik” në Porto Palermo, pronar i së cilës bëhet një ish-latifondist, bashkëpunëtor i fashizmit. Fjala është për një sipërfaqe prej 800 ha. Ajo që në pamje të parë ngjan e habitshme, në anën tjetër shfaqet e shpjegueshme. Nuk është e vështirë të shpjegohet kjo shkelje ligjore, nuk është e vështirë të kuptohet arsyeja e moskomunikimit me komunitetin himarjot për këtë zgjidhje tragjike, alla-Gërdec. Pa kaluar asnjë javë, i vetëquajturi “ndëshkues i mëkatarëve” vrapoi për një vizitë me gërshërë në dorë, më së shumti për të zhvilluar një bisedë sekrete kokë me kokë me mercenarin e tij, kryebashkiakun Vasil Bollano. Shiriti që preu Berisha në rrugën e Gjypesë, nuk e fsheh dot ndërgjegjen e ndotur të Bollanos. Ai mendon se një rrugë të tillë që është larg çdo banori të Himarës dhe që shton idenë dhe të vërtetën e grabitjes së tokave të himarjotëve, do ta ketë për alibi. Është e kotë! Bollano i ka tradhtuar zgjedhësit e tij në mënyrën më dramatike. Ai mendon se duke bërë show politik si një periferik, do ta ketë më të lehtë të mbulojë korrupsionin. Por tani ndëshkimi për të është i pakthyeshëm. Nuk vjen andej nga është sponsorizuar, por nga të mashtruarit e tij. Bëmat e tij nuk mund të mbulohen me prerje shiritash pavarësisht nga ngjyrat. Është momenti që inteligjenca e këtij vendi me histori, të reagojë ndaj këtij renegati të tokës së të parëve tanë. Kjo inteligjencë duhet të ketë sot një reagim të pavarur për këtë individ dhe bëmat e tij që po e lënë në këtë gjendje vendin tonë. Njeriu që të merr tokën e të parëve është më i zi se çdo pushtues. Kryebashkiaku në detyrë është bashkëpunëtor në grabitje. Në këtë kuptim, ajo që për ne quhet demagogji, në rastin e deklarimit se “falsifikimi i dokumenteve të pronave ka sjellë një gjendje kaotike në dobi të politikanëve dhe të qeveritarëve të babëzitur”, është kryekëput një përpjekje për të mbuluar grabitjen, për t’iu hedhur hi syve banorëve të zonës. I gjendur para këtij skandali, nuk mund të hesht. Natyrisht, nuk ma merr mendja se dikush, këtë reagim mund ta interpretojë si një mos dëshirë timen për zhvillim turistik. Njëmijë herë jo. Por ky zhvillim bëhet në bazë të një studimi, të një bashkëbisedimi me komunitetin, në bazë të ligjeve dhe jo të anashkalimit të tyre për interesa klanore. Ato vende, gjire, kodra, brezare, fshatra, janë joshëse, të lakmuara, por jo pa zot. Potencialet turistike janë të mëdha, por ato s’kanë arsye të vihen në dispozicion të ish-latifondistëve, bashkëpunëtorëve të fashizmit, sidomos të atyre që nxitojnë të marrin nënshtetësinë shqiptare vetëm për këtë qëllim. Projekt-planet e fshehta dhe të hapura sot, nisur nga mendimi se s’kanë çfarë të na bëjnë, janë me pasoja të rrezikshme! E vërteta e vizitës së kryeministrit, e prerjes së disa shiritave promovuese për rrugica, e vërteta e thirrjes së tij “për t’u ndërgjegjësuar në ndërtimin e resorteve”, fsheh të tjera qëllime. Por me këto profka s’gënjehen himarjotët. Si deputet dhe si bir i Himarës, i mbështetur fuqimisht nga komuniteti, nuk do lëmë të na grabitet asnjë pëllëmbe tokë! U shpreha në shumës, pasi mbas meje si deputet, janë me qindra, me mijëra të tjerë. Përpara kryeministrit “triumfal” shtrohet një pyetje: “Kush ta jep të drejtën të bësh si të duash me pronat e Himarës?” Ne do të tregojmë për të satën herë se nuk duam tjetër gjë, veç mbrojtjes së pronave, të identitetit dhe të jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›