E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një standard për publikun dhe privatin

Astrit Veliaj 

Eshtë normale që mediat të jenë të drejtuara nga sensacioni, por ky proces bëhet i turpshëm, kur paragjykimet vihen në gojën e një lideri të arsimit të lartë publik siç është rasti i Rektorit.
Këtu i referohem prononcimit të fundit të Rektorit Kule mbi universitet private, i cili në një të përditshme shqiptare është shprehur dakord me mbylljen e Universiteteve Private në Shqipëri, ashtu sikurse ka ndodhur edhe në Kosovë.
Pavarësisht solidarizimit të përhershëm, që çdo njeri i qytetëruar ka për garantimin e cilësisë në çdo shërbim publik, rasti i “pezullimit” të universiteteve private në Kosovë meriton më shumë vëmendje dhe studim. 
Pikërisht ky proces do të jetë më transparent kur Këshilli Britanik, i cili mori përsipër këtë vlerësim në emër të qeverisë së Kosovës do të publikojë Raportin e tij përfundimtar, deri atëherë të tilla spekulime nuk bëjnë gjë tjetër përveç se dëmtojnë figurën dhe punën e operatorëve privatë seriozë edhe në Shqipëri.
Por le të lëmë një çast Kosovën (sepse ajo që mund të bëjmë aktualisht, është vetëm të trillojmë, pa u bërë publik ende Raporti) edhe prononcimet e Rektorit mbi këtë fenomen.
Ajo që të tremb në këtë rast është papërgjegjshmëria e deklaratave të figurave të tilla kundrejt një fenomeni, i cili nëse do të rezultonte (edhe nëse do të ishte e vërtetë)  në Shqipëri do të ishte katastrofal për arsimin e lartë Shqiptar.
Nga ana tjetër, Rektori Kule harron që objekt i një vlerësimi të tillë duhet me doemos të jenë edhe universitetet publike, sepse aty mbase më shumë se kudo (kjo edhe e vërtetuar) ndodh korrupsioni, lë për të dëshiruar cilësia e mësimdhënies,  kuptohet atëherë kur bëhet mësim, lënë për të dëshiruar të gjitha elementët që shoqërojnë procesin akademik siç janë infrastruktura, literatura, hapësirat për studentë raporti student-pedagog, etj., etj. (Këto të deklaruara edhe nga vetë Prof. Kule)
Kështu është më e ndershme që taksapaguesit shqiptarë të marrin vesh njëherë e mirë ku i çojnë për të studiuar fëmijët e tyre, cila është vlera e vërtetë e diplomës së tyre në universitetet publike?
Por mbase Rektori Kule nuk ka pasur kohën e duhur për t’u marrë me të tilla elementë, pasi e paktë është koha që ai ka marrë karrigen e Rektorit të UT-së.
Rektori Kule nuk ka qenë i vëmendshëm kur qeveria dhe Kryeministri kanë shprehur mbështetjen e plotë të sektorit privat si një nga instrumentet që po mundohet të ndihmojë qeverinë në rritjen e përqindjes së studentëve që ndjekin arsimin e lartë në Shqipëri (Mos harrojmë se Shqipëria është ende ndër vendet e fundit në listën e Evropës Juglindore për përqindjen për popullsi të të rinjve që janë në arsimin e lartë) si dhe njëherësh  Kryeministri Berisha ka qenë gjithmonë pro përdorjes së një standardi për vlerësimin si të universiteteve private ashtu edhe atyre publike.
Për ta ndihmuar Profesorin për t’i sjellë në vëmendje një nga elementët që mbase nuk e ka konsideruar.
Unë do të shtroja një pyetje:
Nëse në rastin më të keq Universitet Private në Shqipëri do të mbylleshin, a mendon Prof. Kule se me hapësirat dhe me mungesat edhe të bazës materiale ( edhe të letrës për të printuar) do të mund të përballonte të gjithë fluksin e studentëve që vijnë nga universitet private???
Sigurisht që të gjithë aktorët seriozë në treg që duan të mbijetojnë edhe të kenë sukses, duhen të jenë gjithmonë nën kontrollin dhe presionin e cilësisë së shërbimit, por për të qenë transparentë kundrejt atyre që e konsumojnë një shërbim të tillë (studentëve të universiteteve publike dhe atyre shtetërore)  duhet të ketë një standard për procesin e vlerësimit, si tek publiku edhe tek privati.
*President i U.F.O University

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›