E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Himnin e kompozova për një ditë"

Ka një melodi të cilën tashmë duket se e kanë pëlqyer të gjithë. Fjala është për himnin e ri të shtetit më të ri të botës, atë të Kosovës. Në një seancë parlamentare të mbledhur enkas, deputetët votuan me shumicë votash për kompozimin e Mendi Mengjiqit. Sipas burimeve nga Kuvendi, melodia pas ca kohësh do të pajiset edhe me tekstin dhe mbase do të ketë një tjetër konkurs për këtë të fundit. Melodia e himnit të Kosovës, sipas specialistëve, shpreh mburrje dhe krenari, por për të plotësuar kriteret i është përmbajtur më shumë një vije melodike sesa demonstrimit të forcës. Për sa i përket kompozitorit Mendi Mengjiqi, ai lindi në vitin 1958, në Lupç të Epërm të Podujevës. Mbaroi studimet në Krakovë (Poloni) në klasën e Bujarskit, kurse studimet postdiplomike i kreu në klasën e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj botërorë, Kshishtof Pendereckit. Zhvilloi një aktivitet intensiv dhjetëvjeçar në këtë vend, ku pati suksese të konsiderueshme. Veprat e tij ekzekutohen në vende të ndryshme të botës. Pas kthimit nga Polonia u angazhua si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron lëndët e kompozimit. Është autor i dhjetëra kompozimeve të këngëve argëtuese. Ka kompozuar gjithashtu muzikën për filmin artistik të metrazhit të gjatë "Anatema" të regjisorit Agim Sopi.

Si ju lindi ideja për të marrë pjesë në konkursin për himnin e Kosovës dhe nga ju erdhi frymëzimi për këtë melodi që u kthye në himn?

Pikë së pari e kam ndjerë si obligim moral për shtetin tim, për shtetin më të ri në botë, Kosovën, dhe gjithmonë kam pasur frymëzim edhe qysh herët kam menduar që në të ardhmen edhe Kosova do ta ketë himnin e vet. Inspirimi më ka lindur prej gjakut që rrjedh dhe duke u bazuar në kulturën tonë më të lashtë, që është një ndër kulturat më të vjetra në Evropë. Ky ka qenë frymëzimi.

Si do ta zbërthenit me fjalë këtë lloj melodie?

Himni ka formën e vet dhe karakterin e muzikës solemne, muzikës së mburrjes, krenarinë dhe porosinë e paqes. Siç e dimë, qysh prej lindjes së komunizmit, himnet, të cilat janë kompozuar prej asaj periudhe kanë një karakter, që janë vepra të caktuara ta zëmë për ushtarë, këngë marshi, këngë revolucionare etj. Mirëpo himni është diçka e veçantë që nënkupton se populli duhet të ndihet krenar dhe të mburret me atë që porosit paqe.

Sa e vështirë ka qenë për një kompozitor si ju të bëjë punën e tij mes disa kornizave, të cilat kanë qenë të përcaktuara me konkurs?

Vet fakti se kush jam, nuk mund ta ndërroj vetveten. Ato korniza mendoj se ndoshta kanë qenë në aspektin tekstual. Për mua që e kam kompozuar himnin është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë atë, porosinë dhe mesazhin që përcjell.

A e ndjenit ju presionin e pikave të tilla që serbët të mos ta kundërshtojnë?

Unë nuk e kam menduar atë. Siç e thashë edhe më parë, ne jemi kulturë e lashtë e Evropës dhe atë askush nuk mund ta mohojë. Përndryshe ne huazojmë folklorin e njëri-tjetrit. Folklor për mua është muzika toske, ndërsa në këto kohërat e reja kemi muzikën e cila quhet "tallava", ose muzikë globale rajonale dhe me siguri në të ardhmen ajo do të mbetet si folklor.

Si e pritët lajmin se kompozimi juaj ishte fitues?

T‘ju them të drejtën unë jetoj në fshat dhe atje telefoni nuk ka qasje, kështu që kam qenë si i izoluar jo me dëshirën time, por nuk kam qenë në rrjedha fare.

Kur e morët vesh?

E kam marrë vesh para dy-tre ditësh, më kanë treguar kolegët.

Sa kohë ju është dashur për ta kompozuar?

Nuk më ka marrë shumë kohë, për arsye se e njeh formën e njeh gjuhën....

Sa ditë ose sa orë?

Një ditë, ideja më lindi për një ditë dhe është kompozuar komplet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›