Rama: Do të heqim nga dora e ministrit tenderët
Partia Socialiste prezantoi dje Enciklikën e Shëndetësisë, në një takim ku merrnin pjesë njerëz të sistemit shëndetësor në vend. Kryetarit Edi Rama konstatoi se, nëse partitë politike kanë vesh për të dëgjuar, shumë gjëra mund të bëhen ndryshe. "Sistemi shëndetësor, dhe jo vetëm sistemi shëndetësor, është realisht një ishull komunist në një shoqëri të lirë, që tenton të shkojë drejt një kapitalizmi funksional", theksoi Rama. Por sipas tij, në vend të byrosë politike, është kioska e ministrit në qendër të ishullit dhe në atë kioskë lëviz e gjithë jeta e sistemit. "Ajo kioskë bën atë që prej 17 vjetësh vazhdon ta degradojë sistemin e shëndetësisë. Siç kemi një sistem të partitizuar në çdo sektor ku ministri ka kioskën përmes së cilës ushqen partinë, kemi edhe një sistem shëndetësor të partitizuar prej 17 vjetësh", nënvizoi kreu socialist. "Dhe ky sistem shëndetësor i partitizuar, shtoi ai, është as më shumë dhe as më pak, por një sistem që mbahet në këmbë me kontributet e taksapaguesve dhe mban në këmbë partitë dhe çetat e pushtetit prej 17 vjetësh". Reforma në sistemin shëndetësor, sqaroi ai, është një reformë e cila nuk bëhet prej 17 vjetësh, vetëm për shkak të çetave në pushtet, të cilat ushqehen me abuzimet mbi sistemet që duhet të qeverisin, brenda organizimit të shoqërisë sonë. "Kjo reformë, gjëja e parë që duhet dhe që do të bëjmë qysh në masën e parë që ne do të marrim për shëndetësinë në Shqipëri, do të heqë nga ministri tenderët dhe të gjitha mundësitë për të komanduar sistemin me mjetet financiare, të cilat pastaj kthehen në mjete abuzive", premtoi Rama.