Çështja "Paturri", deputeti i PR-së do të mbrojë veten për akuzat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbledhur dje Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, ku ka vënë në dijeni anëtarët e saj me kërkesën e prokurorisë, për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Hajrulla Paturri. Mbledhja e zhvilluar dje në drekë nuk ka zgjatur shumë. Bëhet e ditur se Kryetarja e Kuvendit, e cila është edhe kryetare e këtij këshilli, sipas nenit 118 të rregullores, ka vënë në dijeni për kërkesën anëtarët të cilët do ta shqyrtojnë atë. Po dje, duke u bazuar në nenin 118 të rregullores mësohet se me unanimitet, anëtarët e Këshillit të Imunitetit kanë marrë vendimin që në mbledhjen e ardhshme deputeti Paturri të dëgjohet duke dhënë mendimin e tij në lidhje me këtë kërkesë. Kjo është kërkesa e dytë brenda pak javëve që vjen nga organi i akuzës, ku kërkohet heqja e imunitetit të deputetëve të PR-së, pasi ky i fundit ka ushtruar dhunë mbi një arbitër gjatë një ndeshjeje futbolli, i cili e ka paditur deputetin e PR-së. Pak javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet një shkrese të firmosur nga Ina Rama, ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, pas tragjedisë së Gërdecit, kohë në të cilën deputeti republikan mbante postin e ministrit të Mbrojtjes. Kjo çështje është ende në diskutim në Këshillin e Imunitetit. Javën e shkuar, këshilli dëgjoi fjalën e deputetit Mediu, i cili për gati një orë nuk pranoi asnjë nga akuzat e ngritura nga organi i Prokurorisë së Përgjithshme, duke theksuar disa herë se të gjitha procedurat që ai kishte ndjekur gjatë kohës që ishte ministër i Mbrojtjes janë bërë në respektim me ligjin dhe Kushtetutën. Mediu ka deklaruar se për procedurat që ai ka ndjekur janë vënë në dijeni të gjitha institucionet ushtarake, të cilat kanë përgjegjësinë e tyre në këtë tragjedi. Por pavarësisht deklaratave të Mediut dhe mbrojtjes së bërë nga mazhoranca, opozita ka deklaruar vazhdimisht se Kryeministri dhe Kryetarja Topalli po e zvarrisin qëllimisht heqjen e imunitetit të tij. Sipas opozitës kjo ka një përgjigje, e cila është mjaft e thjeshtë. Pas heqjes së imunitetit të Mediut, prokuroria do të zgjerojë rrethin e hetimit, duke kaluar te Kryeministri Berisha, i cili akuzohet nga opozita si shkaktar i kësaj tragjedie, pasi familja e tij ka qenë e lidhur me këtë tregti. Kjo zvarritje nga ana e Kuvendit ka rënë në sy edhe të ndërkombëtarëve, konkretisht të ambasadorit të SHBA-së. Ai, pak ditë më parë, ka zhvilluar një takim me Kryeprokuroren Ina Rama, në të cilin i ka kërkuar asaj që të vazhdojë me seriozitet hetimet për këtë ngjarje, ndërkohë që i ka bërë thirrje politikës, institucioneve dhe partive politike të mos ndërhyjnë në këtë çështje, por të lënë organin e akuzës të punojë në mënyrë të pavarur. Pas kësaj deklarate, ambasadori i SHBA-së ka zhvilluar takime individuale me Presidentin Topi dhe Kryetaren e Kuvendit Topalli.