Raporti, bie imuniteti i Mediut
Ndryshe nga mazhoranca, opozita shprehet se Gërdeci ishte ngjarje shumë e rëndë, për shkak të përfshirjes se strukturave të shtetit
Bihet dakord që seanca të miratojë kërkesën e prokurorisë për dhënie autorizimi për nisjen e procedimit penal ndaj Mediut
TIRANË- Mazhoranca ka vendosur t’i japë fund lojës së saj për të zvarritur në maksimum çështjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pavarësisht dosjeve të reja të mbërritura dy ditë më parë nga organi i akuzës, Këshilli parlamentar për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka përfunduar dje së hartuari raportin me anë të së cilës i kërkon seancës plenare që t’i japë autorizimin Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, njëkohësisht kryetar i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, votimi i të cilit duket se është përcaktuar për t’u zhvilluar ditën e hënë. Ashtu siç pritej, mazhoranca dhe opozita edhe në raport nuk kanë arritur që të dalin në një emërues të përbashkët, përsa i përket konstatimeve që bëri Këshilli pas ballafaqimit të fakteve të paraqitura nga prokuroria dhe pretendimeve të shprehura nga vet ish-ministri Mediu për akuzat e ngritura ndaj tij. Dy relatorët, deputeti socialist Besnik Dervishi dhe ai republikan Arian Madhi nuk kanë arritur që të unifikojnë qëndrimet dhe ashtu si edhe në rastin “Basha”, kanë hartuar një raport ku, përveç pikave të përbashkëta, pasqyrohet dhe mendimi i shumicës dhe ai i pakicës.
Opozita
Raporti është hartuar sipas një strukture me tre shtylla kryesore. Në pjesën e parë pasqyrohen akuzat dhe të gjitha pretendimet dhe argumentet kryesorë mbi të cilat prokuroria mbështet kërkesën e saj. Ndërsa në fazën e dytë, raporti jep në vija të përgjithshme vlerësimin që vetë i akuzuari, pra ish-ministri Mediu, ka për faktet dhe pretendimet e prokurorisë. Për të dyja këto pjesë mazhoranca dhe opozita nuk kanë dallim në qëndrimet e tyre. Çështja për të cilën palët nuk kanë rënë dakord lidhet me pjesën e tretë të raportit, ku dhe bëhen konstatimet dhe paraqitet kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Opozita në mendimin e vet, për të shmangur çdo interpretim në lidhje me kërkesën e organit të akuzës i është përmbajtur vetëm vlerësimit se ajo që ndodhi në Gërdec më 15 mars, përbën një ngjarje shumë të rëndë, kjo për shkak edhe të përfshirjes dhe autorizimit nga strukturat e shtetit. Ndërsa në pikat e tjera përfaqësuesit e majtë paraqesin vetëm detyrimet që i lindin Kuvendit për t’i dhënë prokurorisë autorizimin për nisjen e procedimit penal ndaj Mediut.
Mazhoranca
Ndërkohë kundërshtimi i mazhorancës ka të bëjë pikërisht me pjesën e tretë të raportit. Sipas vlerësimit të shprehur në këtë material përfaqësuesit e shumicës nuk bien dakord me trajtimin, sipas tyre, sipërfaqësor që opozita i bën çështjes së akuzave dhe përgjegjësive të Mediut në këtë çështje. Kështu, me këmbënguljen e përfaqësuesve të djathtë në raport është evidentuar fakti se akuza e Prokurorisë se ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka shmangur strukturat ushtarake gjatë vendimmarrjes për aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec, nuk qëndron. Mazhoranca thekson ndër të tjera se strukturat e larta ushtarake dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë qenë prezente në hartimin teknik të të gjithë akteve dhe vendimeve që lidhen me këtë çështje. Gjithashtu një konstatim tjetër që bëhet nga deputetët e djathtë është dhe fakti se prokuroria nuk arrin të vërtetojë akuzën se ministri i Mbrojtjes ka ndjekur politika dhe ka nxjerrë urdhra që favorizojnë përfitime të pandershme për firma apo kompani të ndryshme private që kanë marrë pjesë në procesin e demontimit. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve Këshilli i Imuniteteve, pa përjashtim bie dakord që t’i kërkojë seancës të miratojë kërkesën e prokurorisë për dhënie autorizimi për nisjen e procedimit penal ndaj ish-ministrit Mediu.
Raporti
Qëndrimi i opozitës
Në vlerësim të pretendimeve të paraqitura nga organi i akuzës dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke pasur parasysh:
- zbatimin me përpikmëri të procedurave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit;
- evitimin dhe shmangien e vonesave të panevojshme në shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë dhe të gjithë procesit në këshill;
- vullnetin e deklaruar të gjithë spektrit politik në favor të mospërdorimit të imunitetit parlamentar kur kërkohet hetimi nga organi i prokurorisë;
- deklarimin e deputetit Fatmir Mediu për të lënë imunitetin parlamentar në shërbim të hetimit të ngjarjes;
- materialet e administruara ku prezumohet se kemi të bëjmë me veprime ose mosveprime, objekt i hetimit penal;
- moskrijimin e asnjë vonese që krijon pengesa për kryerjen e veprimeve hetimore të organit të prokurorisë;
- ngjarja e ndodhur në Gërdec, konsiderohet mjaft e rëndë për shkak edhe të përfshirjes dhe autorizimit nga struktura të shtetit;
- gjithë shoqëria shqiptare është e interesuar për të zbardhur sa më parë të vërtetën mbi tragjedinë e Gërdecit,
i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë të votojë pro dhënies së autorizimit për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu.
Qëndrimi i shumicës
Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur dhe ballafaqimi i fakteve Këshilli parlamentar Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit konstaton se:
1. Pretendimi i organit të akuzës se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në ushtrimin e funksionit të tij në lidhje me vendimmarrjen për aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec, ka shmangur strukturat ushtarake nuk qëndron.
2. Strukturat e larta ushtarake, si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë qenë prezent dhe kanë kontribuar në hartimin teknik të të gjitha akteve dhe vendimeve që lidhen me këtë çështje.
3. Prokuroria me dokumentacionin e vënë në dispozicion nuk arrin të vërtetojë përpara Këshillit akuzën se ministri i Mbrojtjes ka ndjekur politika dhe ka nxjerrë urdhra që favorizojnë përfitime të pandershme për firma apo kompani të ndryshme private.