Hipertensioni, Rreziqet që i kanosen shëndetit
Stina e verës përkeqëson sëmundjen. Grupmoshat më të prekura
Tensioni i lartë i gjakut është një sëmundje, që bëhet mjaft serioze gjatë stinës së verës. Me rritjen e temperaturës, sistemi kardiovaskular është i pari që preket, pasi aorta dhe venat e tjera ngushtohen dhe shkaktojnë probleme me shëndetin. Sipas mjekëve, tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) është një prej sëmundjeve shumë të rrezikshme gjatë periudhës së verës. Edhe më serioze sëmundja bëhet te personat që paralelisht vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ekspozimit në diell gjatë pikut të vapës, pasi mund të pësojnë infarkte ose kriza të rënda, që çojnë në humbjen e jetës. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore. Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit.
Sëmundja
Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shkaqet janë të shumta dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: hipertension arterial esencial, i cili edhe pas një sërë ekzaminimesh nuk kuptohet se nga vjen. Shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra origjinë të brendshme; grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm, që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, nefriti apo infeksione të veshkave dhe quhet hipertension renovaskular. Shkak tjetër mund të jenë sëmundje të tilla të veshkave, si për shembull, ngushtimi i arteries renale, që furnizon veshkën me gjak. Duke mos u furnizuar si duhet, në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit. Shkak tjetër janë problemet me gjëndrat e tiroides. Prodhimi i tepërt të hormonit të tiroides, shton rrahjet e zemrës, e për pasojë shkakton rritje të tensionit të enëve të gjakut. Shkaqe të tjera janë diabeti dhe tumori i gjëndrave mbiveshkore.
Shenjat
Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme. Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre.
Dielli
Ekspozimi në diell në orët më të nxehta gjatë ditës, i personave që vuajnë nga hipertensioni dhe në veçanti i atyre që përveç saj vuajnë edhe nga sëmundje të zemrës, mund të shtojë rrezikun e krizave dhe të infarktit. Dhe ata që vuajnë nga zemra nuk janë të paktë. Një studim i kryer nga mjekë të klinikës “Mayo” në Shtetet e Bashkuara, tregon se një në çdo katër vetë, mbi moshën 45-vjeçare mund të preket nga sëmundje të zemrës. Të dhënat e studimit i shtyjnë mjekët dhe pacientët të kenë parasysh se pushimi i zemrës nuk shkaktohet vetëm nga pompimi i pamjaftueshëm i gjakut, por edhe atëherë kur pompimi i gjakut është normal, por zemra nuk është në gjendje ta absorbojë atë. Simptomat tipike të kësaj sindrome janë lodhja, vështirësi në frymëmarrje, enjtje të këmbëve dhe probleme në ritmin e rrahjeve të zemrës. Për të shmangur një fatkeqësi, mjekët e kësaj klinike rekomandojnë zbatimin e masave parandaluese kundër presionit të lartë të gjakut. Një tjetër mënyrë për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës është pirja e verës së kuqe.
Grupmoshat më të prekura
Nga tensioni vuan gati 12-20 për qind e popullatës, dhe me rritjen e moshës rritet dhe përqindja e të prekurve. Por më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50-55 vjeç për gratë. Te gratë kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, përdorimin e kripës, duhanit, alkoolit. Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut.
Simptomat
Hipertensioni zakonisht zhvillohet pa shumë ndërlikime, por në raste të tensionit të lartë paraqet këto simptoma:
Dhimbje koke
Marramendje
Dhimbje dhe ndjenje rëndese në gjoks
Pagjumësi
Urinim i shpeshtë
Etje e madhe
Dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri.
Rekomandime
Humbisni peshën e tepërt
Shëtisni
Lini duhanin
Kontrolloni stresin
Mbani regjim të rregullt ushqimor
Preferoni frutat dhe zarzavatet
Rregulloni temperaturën e shtëpisë
24 Prill 2009