E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtesa mbi pagë, që përfitojnë punonjësit e punëve të rrezikshme



Jonida Tashi

Zbardhen punët e vështira ose profesionet e rrezikshme që do të përfshihen në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) ka detajuar rreth 100 punë, që do të bëjnë pjesë në strategjinë e punës, që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria. Sipas drejtuesve të dikasterit të Punës, pritet që ky ligj të përfundojë brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, që nënkupton realizmin e tij brenda mandatit të qeverisë “Berisha”. Pas miratimit të draftit të ri për punët e vështira, pritet që të punësuarit në këto profesione të punojnë në kushte më të lehtësuara pune, duke u liruar disi nga “barra” e punës së vështirë. Për herë të parë, vendi ynë do të ketë një dokument Strategjik Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, që do të jetë rregullatori kryesor në marrëdhëniet e punës. Dokumenti evidenton sektorët më problematikë, ku shqetësues është numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, ku veçohen ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj. Aktualisht, strategjia e punës nuk përfshin sektorin bujqësor, pasi është menduar që pas konsolidimit të këtij procesi në sektorët e tjerë, strategjia të përfshijë edhe punët në bujqësi.
Punët
Punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin konsiderohen ato që kryhen në ambiente që kapërcejnë kufijtë e lejueshëm të faktorëve të dëmshëm për shëndetin, të cilët përcaktohen në dispozita të veçanta ose në norma të detyrueshme higjieno-sanitare. Qeveria ka miratuar dhënien e shtesës për punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin. Shtesa mbi pagë, që merret nga punonjësit e punëve të vështira, mbështetet në rezultatet e studimeve të ambientit që kryhen nga institucionet e autorizuara për këto lloj studimesh. Në rastet kur punonjësit i takojnë të marrë më shumë se një shtesë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, shtesat jepen për çdo rast. Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, punonjësve u jepen shtesa mbi pagë, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, si më poshtë vijon: Në shkallën e parë deri në 5 për qind; Në shkallën e dytë 10 deri 15 për qind; Në shkallën e tretë 15 deri 20 për qind; Në shkallën e katërt 20 deri 25 për qind.
Orët
Inspektorati Shtetëror i Punës ka përcaktuar kufirin e orëve javore të punës që duhet të plotësojë një i punësuar në punët e vështira. Kështu, sipas vendimit të marrë nga Inspektorati, që dy ditë më parë u miratua edhe nga qeveria, punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe, për këto vende pune duhet të parashikojnë që kohëzgjatja javore e punës të mos kalojë 48 orë në javë, përfshirë në këtë kohë edhe oraret suplementare. Specialistët e Inspektoratit të Punës shpjegojnë se më konkretisht kjo do të thotë se në Kodin e Punës parashikohet që koha javore është 40 orë në javë, por për arsye pune, një i punësuar mund të punojë deri në 50 orë në javë. Sipas tyre, në rastet kur një i punësuar do ta kalojë 50 orët e përcaktuara, duhet të marrë leje në Inspektoratin e Punës.

Shtesa mbi pagë për profesionet e vështira

Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, punonjësve u jepen shtesa mbi pagë, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, si më poshtë vijon:
Në shkallën e parë deri në 5 për qind
Në shkallën e dytë 10 deri 15 për qind
Në shkallën e tretë 15 deri 20 për qind
Në shkallën e katërt 20 deri 25 për qind.

Kushtet që duhet të plotësojnë punëdhënësit
Punëdhënësit janë të detyruar të marrin në këto punë punëmarrës, të pajisur me dëshmi profesionale dhe me certifikatën e aftësisë mjekësore.
Punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe, parashikojnë kushtet e përshtatshme për këto vende pune, përherë në mbrojtje të shëndetit dhe të personalitetit të punëmarrësve.
Punëdhënësit janë të detyruar të krijojnë kushte të larta sigurie dhe higjiene në këto vende pune.

Punët e vështira ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut, janë si më poshtë vijon:
a) Punët në miniera, në nëntokë, dhe në punimet e tjera, në nëntokë, që kryhen nga:
minatori, armatori, zjarrmëtari dhe ndihmësit e tyre;
drejtuesi teknik (personeli inxhiniero-teknik);
punëtori i transportit dhe i ngarkimit;
punëtori i shërbimit të ajrimit dhe ai elektromekanik;
personeli shpëtues dhe inspektues, në miniera, dhe personeli i repartit të inspektim-shpëtimit, miniera, Tiranë.
b) Punët në aviacionin civil, që kryhen nga:
komandanti i aviacionit;
piloti;
navigatori;
mekaniku;
radiotelegrafisti;
radiotelefonisti.
c) Punët në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, kromit, qymyrgurit, në fonderitë dhe në impiantin e pasurimit të rërave bregdetare dhe në fabrikat e pasurimit të kuarcit, ku përfshihen:
punët në fonderi;
punët në farkëtari;
punët në kaldaja dhe në enët nën trysni;
saldimi me hark elektrik dhe puna e operatorëve të automatëve të saldimit;
saldimi me oksiacetilen.
ç) Punët e tilla si të:
polumbarit;
saldatorit, elektrosaldatorit në rezervuare, kulla dhe cisterna;
punonjës të pastrimit të brendshëm të rezervuarëve;
punonjësit që punon me solucione aerosole, radioaktive;
punonjësit që punon me rreze radioaktive dhe në mjedise radioaktive;
makinistit dhe ndihmësmakinistit.
d) Punët në fushat e arsimit dhe të kulturës, si ato të:
balerinit dhe valltarit të ansambleve;
akrobatit dhe gjimnastit të cirkut;
solistit të operas;
muzikantit të veglave frymore, të orkestrave dhe të bandave.
dh) Punët në fushën e shëndetësisë:
me rrezatime jonizuese (kobaltoterapia, imazheria, radiotologjia klasike, skaneri, rezonanca magnetike);
në laboratorët mikrobike;
në shërbimin infektiv, në kirurgji dhe anestezi në sallat e operacionit me gazra.
e) Punët në industrinë e bakrit.
ë) Punët në industrinë kimike dhe atë përpunuese si:
në prodhimin e baterive;
në përpunimin e lëkurëve dhe të peliçeve;
në fabrikat e letrës.
f) Punët në industrinë metalurgjike, të naftës dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, si:
në metalurgjinë e zezë të ferrokromit;
në uzinat e petëzimit;
në uzinat e gizës;
në repartet e furrnaltës;
në prodhimin e substancave sintetike, polisterolit, polietilenit etj.
g) Punët në industrinë elektrike:
në lartësi mbi 5 metra nga sipërfaqja e tokës;
në shërbimet operative, në nënstacionet 110 kv e lartë;
në shërbimet e pajisjeve, që lëshojnë rreze monokromatike koherente (rreze lazer), rreze elektromagnetike, me frekuencë të lartë, shumë të lartë, të ulët dhe shumë të ulët;
në shërbimet me elektrovinça, me kulla të lëvizshme;
në shërbimet operative në filialet elektrike, shpërndarëse.
gj) Punët në prodhimin e tullave e të tjegullave dhe të artikujve prej qeramike, si:
në prodhimin e çimentos;
në prodhimin e xhamit, qelqit dhe të llampave elektrike;
në industrinë e lëkurëve;
në industrinë e drurit, të letrës dhe të pllakave të zdrukthit.
h) Punët në industrinë e fermentimit të duhanit dhe në industrinë e prodhimit të cigareve.
i) Punët në ndërtim të:
punëtorit të asfaltit dhe të punëtorit të prodhimit të asfaltit;
punëtorit që përgatit betonin;
punëtorit që ngre oxhaqe industriale;
punëtorit që monton shtyllat e tensionit të lartë;
sondistit;
eskavatoristit;
minatorit në gurore;
rulistit;
minatorit në karrierat e argjilave;
punëtorit të poligrafisë.
j) Punët në ndërmarrjet ushtarake:
në çmontimin e municioneve;
në nxjerrjen e eksplozivit nga predhat e çmontuara;
në nxjerrjen e barutit nga gëzhojat e municioneve të çmontuara;
në transportimin e municioneve, baruteve dhe eksplozivëve;
në manipulimin e enëve nën presion;
në poligonet e provave të fishekëve dhe shtimjeve;
në prodhimin e baterive të thata (përgatitja e elektrolitit dhe përzierja e aglomeratit);
në linjat e prodhimit në tunel;
në proceset galvanike;
në prodhimin e fishekzjarrëve;
në prodhimin e gomave (përgatitja e brumit);
në saldimet me kallaj;
në proceset e pastrimit me rërë dhe shkëlqim detalesh;
në prodhimin e kapsollave;
në linjat e përpunimit dhe prodhimit të baruteve dhe eksplozivëve;
në prodhimin dhe manipulimin e lëndëve shpërthyese, iniciale, barute, eksplozive.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›