Shkojnë të vjedhin shalqinj, qëllojnë me armë mbi pronarin
Shkojnë të vjedhin shalqinj dhe në momentin që zbulohen nga pronari i arës e kërcënojnë atë me armë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Goriçan të Rrethit Berat pasditen e së dielës. Burime nga Policia e Beratit bëjnë të ditur se Ylli Tafa, së bashku me të birin, kanë tentuar të vjedhin shalqinj në pronën e fermerit Agron Barjami, dhe në momentin që janë zbuluar nga ai, janë grindur me të. Sipas burimeve nga vendngjarja, mësohet se pasi janë përzënë nga Bajrami, 48-vjeçari Ylli Tafa është kthyer në banesë dhe ka biseduar me të vëllanë, Afrimin, të cilit i ka treguar gjithë ngjarjen. Më pas ai ka rrëmbyer një armë automatike dhe është rikthyer në parcelën e bashkëfshatarit për të vazhduar konfliktin. Mësohet se 33-vjeçari Afrim Tafa ka qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve Agron dhe Shkëlqim Barjami, por fatmirësisht nuk ka mundur t‘i plagosë. Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur inspektorët e policisë kriminale dhe forca të grupit të gatshëm, që kanë bërë arrestimin e vëllezërve Afrim dhe Ylli Tafa.