E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet një qese me kanabis në tarracën e burgut të ri

Gjendet lëndë narkotike brenda territorit të burgut të ri në qytetin e Durrësit. Në tarracën e ofiçinës që ndodhet brenda institucionit është gjetur një sasi bime narkotike, e cila ka qenë e vendosur në qese farmaceutike. Dyshohet se lënda narkotike është hedhur nga jashtë prej familjarëve apo shokëve, të ndonjërit prej të burgosurve që vuajnë dënimin në këtë institucion sigurie dhe është lënë derisa të krijohej mundësia për t‘u marrë. Por droga ka përfunduar në duart e policisë së shërbimit të burgut, që ka njoftuar menjëherë policinë e rendit. 11 gramët e bimës narkotike, kanabis sativa, janë gjetur në pjesën perëndimore të ofiçinës së burgut. Burimet zyrtare thanë se lënda ka qenë e mbështjellë në një qese farmaceutike të tejdukshme. Me të marrë njoftimin nga kolegët e institucionit të sigurisë, policia e qytetit bregdetar ka kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për zbardhjen sa më shpejt dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Por policia nuk ka ende një emër autori të ngjarjes apo një person të dyshuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›